Zgjatet marrëveshja për eksportin e drithërave

0
8

Marrëveshja e drithit që lejon eksportet e drithërave të Ukrainës të vazhdojnë përmes Detit të Zi është zgjatur për 120 ditë, njoftoi ministri i Infrastrukturës i Ukrainës. ”Iniciativa për grurin e Detit të Zi do të zgjatet me 120 ditë”, njoftoi ministri Oleksandre Kubrakov në Twitter duke përshëndetur një ”hap të rëndësishëm në luftën kundër krizës botërore të ushqimit”. Marrëveshja, e cila skadon të premten në mbrëmje, ka lejuar lirimin e mbi 11 milionë tonëve drithë nga portet e Ukrainës në katër muaj. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres përshëndeti zgjatjen e marrëveshjes dhe shprehu angazhimin për të siguruar funksionimin e qetë të “linjës jetike të furnizimit”. Ai theksoi gjithashtu nevojën për të hequr pengesat e mbetura për eksportin e ushqimit dhe plehrave kimike nga Rusia. ”Të dyja marrëveshjet e nënshkruara në Stamboll tre muaj më parë janë thelbësore për të ulur çmimet e ushqimit dhe plehrave dhe për të shmangur një krizë globale ushqimore”, tha Guterres. Rritja e çmimeve të ushqimeve, kryesisht për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, të cilat kanë ndërprerë dërgesat e ushqimit, kanë nxitur frikën ndërkombëtare të urisë në vendet më të varfra.