Festivali i parë i artit shqiptar do të zhvillohet më 21-22 nëntor, në Sofje nën kujdesin e ministrit të Kulturës, njoftuan sot organizatorët. Të pranishmit do të mund të shohin disa nga muzikantët më të njohur shqiptarë të performojnë dhe të dëgjojnë vepra klasike të kompozitorëve bullgarë dhe shqiptarë. Gjithashtu do të ketë një ekspozitë me mbi 30 vepra të artistëve bashkëkohorë shqiptarë Emjona Stasi, Arben Kristani dhe Dashamir Gurabardhi, e cila do të hapet më 21 nëntor. Më pas do të mbahet një koncert i muzikantëve të rinj shqiptarë. Më 22 nëntor do të ketë edhe një raund tjetër performancash nga muzikantët dhe mësuesit e njohur të muzikës Bledar Zajmi (violonçel), Merita Rexha Tershana (piano) dhe Nevila Kalaja Herczegh (violinë), ndër të tjera. Veprimtaria zhvillohet në partneritet me Ambasadën Shqiptare në Sofje dhe mbështetjen financiare të Fondit Kombëtar të Kulturës. “Këtë muaj, një koncert i titulluar “Rrugëtimi Rreth Botës” i cili do të shënojë 110 vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, do të zhvillohet në Teatrin e Operës dhe Baletit në Sofje më 28 nëntor”, thanë organizatorët. Olen Çesari (violinë), Inva Mula (soprano) dhe Genz Tukiçi (piano) do të performojnë për herë të parë në Bullgari. Ata do të luajnë muzikë tradicionale të Shqipërisë dhe vendeve të tjera. Treshja u formua në vitin 2015, dhe performon interpretime të kulturave të ndryshme muzikore. “Përveç ditës së pavarësisë së Shqipërisë, koncerti do të shënojë edhe 100-vjetorin e hapjes së përfaqësive diplomatike në Tiranë dhe Sofje”, njoftoi Ambasada e Shqipërisë në Bullgari.https://ata.gov.al/2022/11/16/sofja-mikpret-festivalin-e-artit-shqiptar/