Saturday, November 23, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETARERusia kundërshton rezolutën e OKB-së për dëmshpërblime të luftës në Ukrainë

Rusia kundërshton rezolutën e OKB-së për dëmshpërblime të luftës në Ukrainë

Në të njëjtën ditë që Rusia nënshkroi dokumentin e G20 që i referohej zemërimit botëror për pushtimin e saj në Ukrainë, Kremlini tha se do të refuzonte rezolutën e OKB-së që kërkonte që ajo të paguante dëmshpërblime për dëmin që i ka shkaktuar Ukrainës. Ngjarjet erdhën pasi OKB-ja publikoi një raport që pretendonte se të burgosurit ukrainas të luftës ishin torturuar. Kremlini kritikoi ashpër rezolutën e OKB-së, e cila do të siguronte një bazë që Rusia t’i paguajë dëmshpërblim Ukrainës në një datë të mëvonshme. “Ne jemi kategorikisht kundër kësaj”, deklaroi sot zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, sipas agjencisë së lajmeve “Interfax”. “Organizatorët e këtij procesi po përpiqen të kompletojnë vjedhjen e rezervave tona financiare, të cilat janë bllokuar në mënyrë krejtësisht të paligjshme”, tha Peskov. Kritikat erdhën menjëherë pasi negociatorët e samitit të G20, duke përfshirë përfaqësues të Moskës, përfunduan një draft-deklaratë që përfshin dënimin e luftës në Ukrainë. “Shumica e anëtarëve e dënuan fuqishëm luftën në Ukrainë”, thuhet në draft-deklaratë, pavarësisht rezistencës fillestare të Rusisë. Më herët, Kombet e Bashkuara raportuan se të burgosurit e luftës në Ukrainë ishin keqtrajtuar dhe torturuar si në territorin rus ashtu edhe në atë ukrainas. Kryetarja e delegacionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë, Matilda Bogner, raportoi gjetjet e organizatës nëpërmjet një lidhjeje me video nga Kievi. Sipas raportit, vetëm pala ukrainase u dha ekspertëve akses për ushtarët e kapur në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Ekspertët folën me të burgosurit ukrainas pas lirimit të tyre nga paraburgimi rus. Delegacioni i referohet informacionit të detajuar të dhënë nga të burgosurit. Në muajt e fundit, delegacioni ka folur me gjithsej 159 të burgosur të ndaluar nga Rusia ose palët në konflikt të lidhura me Rusinë, duke përfshirë 20 gra. Ekipi i ekspertëve foli me 175 burra të mbajtur robër nga ukrainasit. Burimet e televizionit letonez kanë raportuar se vendi po ndihmon në ofrimin e kujdesit mjekësor për trupat ukrainase të plagosur që mbrojnë atdheun e tyre kundër Rusisë. Një grup prej 17 ushtarësh të plagosur mbërritën në vend në fillim të javës për t’u trajtuar në një spital në Riga. Sipas raportit, ky ishte grupi i dytë që u dërgua në Letoni me autobus për trajtim nga zonat e luftës në Ukrainë. Sipas ekspertëve britanikë të inteligjencës, forcat ruse kanë zgjedhur qytetin Henichesk në Detin Azov si selinë e tyre të përkohshme, në Ukrainën jugore pas tërheqjes së tyre nga kryeqyteti rajonal i Khersonit. “Fakti që Henichesk tani është zgjedhur si bazë, jep një indikacion të prioriteteve dhe shqetësimeve të komandantëve rusë në konsolidimin e pozicionit të tyre të mbrojtjes në Ukrainën jugore”, deklaroi sot Ministria e Mbrojtjes në Londër.https://ata.gov.al/2022/11/15/koment-rusia-kundershton-rezoluten-e-okb-se-per-demshperblime-te-luftes-ne-ukraine/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments