Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETAREStoltenberg: Putini nënvlerësoi ukrainasit

Stoltenberg: Putini nënvlerësoi ukrainasit

Presidenti rus Vladimir Putin nënvlerësoi guximin e ukrainasve dhe mbështetjen e aleatëve të tyre, tha sot shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg. “Putini bëri disa gabime të mëdha kur pushtoi Ukrainën, gabime strategjike. Njëri ishte nënvlerësimi i ukrainasve, guximi i tyre, angazhimi i tyre për të luftuar dhe mbrojtur … vendin”, tha Stoltenberg pas takimit me kryeministrin britanik Rishi Sunak në Downing Street. “Gabimi tjetër që ai bëri ishte nënvlerësimi i aleatëve, partnerëve të NATO-s, në aftësinë tonë për të mbështetur Ukrainën”, shtoi ai. Gjatë vizitës së tij në Britani, Stoltenberg do të marrë pjesë në një takim të Forcave të Përbashkëta Ekspeditore të NATO-s në Edinburg. “Nëse presidenti Putin fiton në Ukrainë, do të jetë katastrofike për ukrainasit, por gjithashtu do të na bëjë më të prekshëm; sepse, atëherë mesazhi … (për) udhëheqësit e tjerë autoritarë do të jetë se ata mund të t’ia dalin, të arrijnë qëllimet e tyre duke përdorur forcën brutale ushtarake”, tha ai. Lidhur me njoftimin e tërheqjes së Rusisë nga qyteti ukrainas Kherson, Stoltenberg tha se mbetet për t’u parë “çfarë ndodh në të vërtetë në terren”. Ai tha se Rusia është shtyrë prapa rreth Kievit, Kharkivit dhe Khersonit dhe “është inkurajuese të shohësh se si forcat e guximshme ukrainase janë në gjendje të çlirojnë më shumë territor ukrainas”. “Fitoret, fitimet që po bëjnë Forcat e Armatosura të Ukrainës u përkasin ushtarëve të guximshëm ukrainas”, tha Stoltenberg. “Por, sigurisht, mbështetja që ata marrin nga Mbretëria e Bashkuar, nga aleatët dhe partnerët e NATO-s është gjithashtu thelbësore”, theksoi shefi i NATO-s. Ai përshëndeti Mbretërinë e Bashkuar për trajnimin e afro 30.000 ushtarëve ukrainas. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se takimi i tij me Sunak ishte “një takim i mirë dhe kam besim se do të vazhdoj të llogaris në Mbretërinë e Bashkuar si një aleat kryesor i NATO-s”.https://ata.gov.al/2022/11/10/fokus-stoltenberg-putini-beri-gabim-strategjik-kur-nenvleresoi-ukrainasit/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments