Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka bërë promovimin e librit “Themeluesi”, i shkruar nga studiuesi Evarist Beqiri. Libri trajton figurën e “atit të kombit”, Ismail Qemalit, në këndvështrimin e lidershipit të tij. Autori ka mbledhur të dhëna të shumta, të rralla e të vyera për këtë figurë të ndritur të historisë tonë kombëtare. Libri përcjell me vërtetësi ndikimin që historia familjare ka pasur në formimin e karakterit të tij si prijës i ardhshëm i çështjes kombëtare, si dhe ka analizuar edhe rrugëtimin e Ismail Qemalit si nëpunës i lartë në administratën e Perandorisë Osmane, gjatë të cilit ai kishte dëshmuar se zotëronte tipare e aftësi prej lideri. “Ideja për këtë libër lindi nisur nga boshllëku që ekziston në studimet për lidershipin në gjuhën shqipe dhe si një domosdoshmëri për të studiuar figurën e Ismail Qemal Vlorës në aspektin e lidershipit”, është shprehur autori i veprës. Libri i përket zhanrit biznes/lidership dhe ofron një qasje të re për figurat historike shqiptare. Ai i shikon gjërat nën prizmin e koncepteve të lidershipit, duke iu mëshuar fakteve dhe rrethanave historike në të cilat veproi Ismail Qemal Vlora. “Themeluesi” publikohet qëllimisht tani si një ogur i mirë në 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. “Ne si shoqëri vuajmë për modele të mira dhe e kemi të nevojshme për t’i edukuar të rinjtë me modele dhe shembuj të këtij kalibri”, ka deklaruar autori. Disa vite përpara shpalljes së Pavarësisë, Faik Konica shkruante se pengesa kryesore e shqiptarëve drejt pavarësisë ishte “mungesa e mësimit politik”. “Ismail Qemali me lidershipin e tij e tejkaloi këtë pengesë në dukje të pakalueshme”, u shpreh studiuesi Beqiri, sipas të cilit, Ismail Qemali ishte një hap para të tjerëve në njohjen e rrezikut që po i kanosej Shqipërisë nën Perandorinë Osmane. Prandaj, ai realizoi një strategji gjithëpërfshirëse për të formësuar dinamikat rajonale. Strategjia e tij synonte shpëtimin e Shqipërisë, dhe njëkohësisht t’i tregonte Europës se shqiptarët e kishin maturinë e duhur politike për t’u vetëqeverisur. Në eventin e organizuar nga QKLL, autori i librit Evarist Beqiri ka falenderuar bashkëpunëtorët e tij, botuesen Anila Bisha, prof. Aurela Anastasin, dhe prof. dr. Nevila Nikën për kontributin e dhënë në përmirësimin e librit. Ndërsa drejtuesen e QKLL, Alda Bardhyli e falenderoi për inkurajimin e mbështetjen e vazhdueshme. Një falënderim tjetër shumë special, Beqiri e ka bërë për gjeniun e letrave shqipe dhe kumbarin e këtij libri, Ismail Kadare. Evarist Beqiri prej 14 vitesh shërben në administratën publike në fushën e sigurisë kombëtare. Njëkohësisht prej vitesh Beqiri është lektor i jashtëm në Universitetin e Tiranës, në Fakulteti i Drejtësisë.https://ata.gov.al/2022/11/09/themeluesi-figura-e-ismail-qemalit-ne-prizmin-e-koncepteve-te-lidershipit/