Gjermania dhe Japonia po qëndrojnë krah për krah përballë luftës së Rusisë kundër Ukrainës, deklaroi sot presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier gjatë një vizite në Tokio. “Ajo që po bën Rusia është një sulm ndaj ligjit ndërkombëtar, ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregull”, tha Steinmeier gjatë një takimi me kryeministrin Fumio Kishida në Tokio. Kishida paralajmëroi Rusinë për rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore. “Nëse Rusia do të përdorë armë bërthamore, do të ishte një akt armiqësor kundër gjithë njerëzimit”, tha kryeministri Kishida. “Komuniteti ndërkombëtar nuk do ta toleronte kurrë këtë”, shtoi ai. Lufta e Rusisë në Ukrainë ka zgjatur më shumë se tetë muaj. Moska ka kërcënuar vazhdimisht se do të përdorë arsenalin e saj të madh të armëve bërthamore. Në të njëjtën kohë, kancelari gjerman Olaf Scholz pritet të zhvillojë një vizitë në Pekin këtë të premte. Steinmeier dëshiron të thellojë partneritetin me vendet në Azi që kanë vlera të ngjashme me Gjermaninë. Ai tashmë ka vizituar Singaporin dhe Indonezinë. Presidenti gjerman falënderoi Japoninë për qëndrimin e qartë ndaj luftës ruse, duke përfshirë edhe votat në Kombet e Bashkuara. “Në një botë të globalizuar, asnjë konflikt nuk është më rajonal. Pasojat ndihen kudo në botë”, tha ai. Steinmeier përmendi vështirësitë ekonomike si dhe mungesat e ushqimit dhe çmimet e larta të energjisë. Kjo vlen edhe për Japoninë. Pushtimi i Rusisë dhe sanksionet e vendosura nga Perëndimi kanë bërë që çmimet e energjisë dhe lëndëve të para të rriten edhe në Japoni. Në fund të vitit, Japonia do të marrë kryesinë e Grupit të Shtatë (G7) vendeve kryesore industriale nga Gjermania. Samiti i ardhshëm i G7 është planifikuar të zhvillohet në Hiroshima në muajin maj. https://ata.gov.al/2022/11/01/japoni-steinmeier-lufta-e-rusise-eshte-nje-sulm-ndaj-ligjit-nderkombetar/