Prishtina u kthye në një qendër të kulturës europiane e botërore përgjatë 100 ditëve të bienales Manifesta 14. Sot, në ditën e 100-të, numërohen më shumë se 800 mijë vizita, në lokacionet e bienales, ku artistë nga e gjithë bota kanë performuar, në zhanre të ndryshme. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i pranishëm në konferencën përmbyllëse, u shpreh se Manifesta i solli një imazh të ri kulturor kryeqytetit, duke ja shtuar përgjegjësitë institucionale për të vazhduar më tej. “Është ditë e mrekullueshme dhe e mërzitshme sepse po e mbyllim këtë ngjarje”, u shpreh Përparim Rama, përpara bordit të Manifesta 14 dhe gazetarëve. Bienalja ka marrë vlerësime edhe nga gazeta prestigjioze The New York Times, ku shkruhet: “Në një vend të ri, me pak infrastrukturë për artin, bienalja shëtitëse Manifesta, solli mundësinë për të zhvilluar lidhje ndërkombëtare dhe për të ndërtuar një profil”. Ndërkohë ministri i Kulturës Hajrulla Çeku, e ka vlerësuar më herët Manifestën 14 si një organizim të jashtëzakonshëm që mblodhi artistë bashkëkohorë nga vendi dhe bota, duke dëshmuar kapacitetet që ka Kosova për organizimin e një ngjarje me përmasa të tilla. Vëmendja ndërkombëtare që ka marrë Kosova përmes paraqitjes në mediet ndërkombëtare ka ndikuar po ashtu në promovimin dhe imazhin e saj në botë.https://ata.gov.al/2022/10/28/perfundon-manifesta-14-ne-prishtine-terhoqi-800-mije-vizitore/