Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Christiane Hohmann foli sot nga Korça për samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë, duke thënë se zhvillimi i këtij samiti tregon rëndësinë që ka anëtarësimi i këtyre vendeve në Bashkimin Europian. “Në fakt është hera e parë që samiti ndërmjet BE dhe Ballkanit Perëndimor organizohet jashtë BE-së dhe që vjen në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Dhe për herë të parë vjen në Shqipëri. Kjo tregon dhe rëndësinë që ka për ne i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor, pra sa i rëndësishëm është ai për BE-në dhe sa i rëndësishëm është për ne anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE”, theksoi Hohmann në një prononcim për mediet. “Sidomos edhe puna që do të vijojnë të bëjnë këto vende drejt BE. Kjo natyrisht është e rëndësishme dhe për Shqipërinë, por edhe për faktin që në Shqipëri do të vijnë në 6 dhjetor udhëheqësit, liderët e të gjithë BE-së për të diskutuar çështje shumë të rëndësishme për të ardhmen e BE-së, por edhe të gjithë rajonit”, tha Hohmann. Sa i përket nivelit të kriminalitetit dhe korrupsionit në vend, Hohmann përmend raportin e KE duke thënë se çështje e rëndësishme mbetet lufta kundër korrupsionit. “Besoj se ju e dini që përpara rreth 10 ditësh, KE ka botuar raportin vjetor për të gjitha vendet e rajonit, përfshirë këtu Shqipërinë, ose siç njihet ndryshe progresraporti. Ky është një raport, i cili shpjegon shumë qartë të gjithë ecurinë e vendit, situatën në të cilët gjendet vendi në fushat nga më të ndryshmet, sa i përket natyrisht anëtarësimit në BE”, tha Hohmann. “Për të gjithë ata që janë të interesuar, në raport një pjesë e rëndësishme ka të bëjë me sundimin e ligjit, me këto elementë që tregojnë sa punë është bërë deri më tani dhe sa punë duhet të vijojë në lidhje me këtë çështje. Raporti është i qartë sa i përket konsolidimit të çështjeve që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Për shembull, ndjekja penale dhe ajo që ne e quajmë një historik në lidhje me ndjekjen penale, për të luftuar çështje të rëndësishme si lufta kundër korrupsionit, por edhe krimit të organizuar dhe mosndëshkueshmëria”, tha Hohmann. Duke folur për progresraportin, Hohman u shpreh se, “në raport thuhet se Shqipëria ka ruajtur vijimësinë e reformave që kanë të bëjnë me BE-në. Në të njëjtën kohë, përputhshmëria me të gjithë legjislacionin e BE, duke përfshirë këtu rregullore, direktiva ose çfarëdolloj gjëje tjetër, ka ende shumë punë për të bërë në këtë aspekt. Ka diçka konkrete që po ndodh, ky është procesi screening, i analizimit të legjislacionit të BE dhe ky është një proces në të cilin pala shqiptare është ulur dhe po diskuton me BE-në, çështje që kanë të bëjnë me legjislacionin”.http://ata.gov.al/2022/10/25/hohmann-lideret-e-be-se-me-6-dhjetor-ne-tirane/