Gjatë miratimit të një rezolute, Parlamenti Evropian (PE) i kërkoi sot Këshillit të BE-se të miratonte vendimin për pranimin e Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen pa kufij, deri në fund të vitit. Rezoluta u miratua me 547 vota pro, 49 vota kundër dhe 43 abstenime. Në rezolutë, Parlamenti Evropian shpreh “zhgënjim” që nga viti 2011 kur Këshilli i BE-së nuk arriti të merrte një vendim për zbatimin e plotë të acquis të Shengenit për Bullgarinë dhe Rumaninë, pavarësisht thirrjeve të përsëritura për këtë qëllim nga Komisioni Evropian dhe PE-ja. Rezoluta rikujton se të gjitha kushtet e nevojshme për zbatimin e plotë të acquis të Shengenit për Rumaninë dhe Bullgarinë ishin përmbushur tashmë nga të dy shtetet anëtare në vitin 2011. Dokumenti i kërkon Këshillit të BE-së të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të miratuar vendimin e tij për zbatimin e plotë të dispozitave të acquis të Shengenit në Republikat e Bullgarisë dhe Rumanisë deri në fund të vitit 2022, duke siguruar kështu heqjen e kontrolleve të shtetasve në të gjithë kufijtë e brendshëm për të dyja këto vende anëtare, në fillim të vitit 2023. PE mirëpret gatishmërinë e Rumanisë dhe Bullgarisë për të pritur vullnetarisht një mision faktmbledhës, i cili bazohet në parimin e bashkëpunimit të sinqertë dhe besimit të ndërsjellë, pavarësisht faktit se ato tashmë i kanë plotësuar të gjitha kërkesat ligjore dhe nuk ka arsye për vlerësime të mëtejshme. Rezoluta thekson gjithashtu se përfundimi i procesit të vlerësimit të Shengenit për Bullgarinë dhe Rumaninë dhe gjendja e gatishmërisë së të dy vendeve për të zbatuar të gjitha dispozitat e acquis të Shengenit ishin konfirmuar nga ekspertët e vlerësimit të Shengenit dhe nga Këshilli në konkluzionet e tij të 9 dhe 10 qershor 2011. Gjithashtu, në projektvendimin e 8 korrikut 2011, Këshilli i BE-së kishte verifikuar se ishin plotësuar kushtet e nevojshme për zbatimin e acquis të Shengenit në të gjitha fushat, përkatësisht mbrojtjen e të dhënave, kufijtë ajror, kufijtë tokësorë, bashkëpunimi policor, sistemi i informacionit Shengen, kufijtë detarë dhe vizat.http://ata.gov.al/2022/10/18/bruksel-pe-rumania-dhe-bullgaria-duhet-ti-bashkohen-zones-shengen/
PE: Rumania dhe Bullgaria duhet t’i bashkohen zonës Shengen
RELATED ARTICLES