Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se pavarësisht krizës globale e energjisë, qeveria do të bëjë çmos të mbajë të paprekur çmimin e energjisë elektrike për familjarët dhe biznesin e vogël. Gjatë një deklarate për mediet, menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Rama prezantoi paketën mbështetëse që prek punonjësit e administratës, policisë së Shtetit, burgjeve, zjarrfikësit, personat që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe pensionistët, teksa vuri në dukje se, për shkak të mbajtjes nën kontroll me subvencion të vazhdueshëm të çmimit të energjisë, inflacioni është pak më pak i rëndë dhe i dhimbshëm se sa në vendet e tjera të rajonit. “Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme të kihet parasysh se paralelisht do të bëjmë çmos të vazhdojmë të mbajmë të paprekur çmimin e energjisë elektrike për familjarët dhe biznesin e vogël. E kam thënë dhe e përsëris, koha do ta tregojë nëse kjo është marrëzi, apo nëse kjo kurajo do të shpërblehet me suksesin e merituar. Por për shkak të mbajtjes nën kontroll me subvencion të vazhdueshëm të diferencës, e cila rritet për shkak se çmimi rritet, inflacioni është pak më pak i rëndë dhe i dhimbshëm se sa në vendet e tjera të rajonit, ku siç e keni parë kudo vendet janë futur në trajektoren e prekjes së çmimit apo të kufizimeve. Ne duam as të mos preket çmimi, as të mos ketë kufizime. Besoj deri tani ja kemi dalë“, tha Rama. Kryeministri Rama teksa theksoi se dimri do të jetë një sfidë e madhe, u shpreh se hap pas hapi do të shikohet si do të veprohet, ndërsa siguroi se do ti qëndrojë deri në fund me këmbëngulje parimit dhe politikës për të mos prekur çmimin. Rama u bëri thirrje qytetarëve të kursejnë energjinë, pasi sipas tij, sfidë është gjetja e energjisë. “Nga ana tjetër, ne do të shikojmë edhe dinamikën e konsumit dhe kursimit. Dua tu bëj thirrje të gjithëve të hyjmë të gjithë së bashku në mendësinë e kësaj situate për të kursyer, sepse duke kursyer nuk është thjeshtë se paguajmë më pak nga buxheti i familjes apo institucioneve, por kemi më shumë energji, se pikëpyetja më e madhe nuk është sa do të shkojë çmimi, por a do të ketë energji”, tha Rama.https://ata.gov.al/2022/09/28/rama-do-mbajme-te-paprekur-cmimin-e-energjise-per-familjaret-e-biznesin-e-vogel/
Të paprekur çmimin e energjisë për familjarët e biznesin e vogël
RELATED ARTICLES