Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka theksuar përkushtimin e Kosovës për t’u koordinuar me aleatët rreth sfidave të paqes dhe sigurisë. Mehaj theksoi se Kosova është duke bashkëpunuar me partnerët për proceset integruese, në veçanti synimin për anëtarësim në NATO. “Me përkushtimin më të lartë ne po rrisim profesionalizmin, kapacitetet tona dhe siç kemi premtuar kemi aprovuar pakon legjislative, në veçanti me konstituimin dhe harmonizimin e këtyre kërkesave në procesin drejt NATO-s”, tha ai. Ministri përmendi pjesëmarrjen e FSK-në misionin e parë paqeruajtës si dhe përfshirjen në ushtrimin më të madh fushor, Defender Europe 2021. “Këto rrethana të reja gjeopolitike me të cilat ne të gjithë po ballafaqohemi, agresioni rus ndaj Ukrainës, ne jemi vigjilentë për të bashkëpunuar me aleatët tanë për të shikuar proceset e integrimeve për pjesën e Ballkanit Perëndimor në NATO. Nacionalizmi që ka shtuar rrezikun për situatën e sigurisë, duhet të artikulohen për t’u ballafaquar me dinjitet për demokracinë ndërkombëtare. Prandaj në këtë forum me partnerët, do të ritheksoja përkushtimin e Republikës së Kosovës për t’u koordinuar në sfidat e paqes dhe sigurisë, për mbështetjen e vazhdueshme dhënë ndaj FSK-së, gjithashtu të avancojmë praktikat në vendin tonë. Një falënderim i veçantë për donacionet e pajisjeve tek FSK, në veçanti për ushtrimet e përbashkëta ushtarake, ndërveprueshmërinë me forcat e armatosura dhe vendet partnere”, tha Mehaj. Ndërsa drejtori i Ekipit Këshillues Ndërlidhës i NATOS me FSK-në (NALT) gjeneralbrigade Joachim Hoppe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të FSK-së me partnerët dhe nënvizoi se plani i tranzicionit nuk mund të arrihet pa përfshirjen e tyre. “Ne po ashtu duhet gjithmonë të jemi vetëkritik dhe e dimë që ka një rrugë të gjatë përpara për të arritur të gjitha qëllimet dhe sigurisht që ballafaqohemi me mungesa dhe sfida në shumë fusha, ne duhet ta ndërtojmë veten. Ri -fokusimi në bashkëpunimin bilateral dhe pjesën e përgjithshëm të mbështetjes për FSK-në. Do të doja të shprehja mirënjohjen e veçantë për partnerët, për vazhdimësinë dhe përpjekjet e tyre. Plani i tranzicionit nuk mund të arrihet pa përfshirjen dhe asistencën e partnerëve. Për shkak të kësaj ne konsiderojmë se bashkëpunimi bilateral është i rëndësishëm për Kosovën dhe efektet janë të mirëseardhura për FSK-në” tha ai. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott ka folur për fushat e bashkëpunimit që shteti i tij ka me FSK-në. Ai ka deklaruar se do të vazhdojnë të mbështesin Forcën e sigurisë së Kosovës në ngritje të kapaciteteve, shkollim, trajnime e zbarkime. Gjithashtu, ambasadori turk në Kosovë, Çagrı Sakar tha se do të vazhdojnë mbështetjen e FSK-së drejt integrimeve euroatlantike. “Kemi ofruar pajisje dhe makina ushtarake për FSK-në dhe gjashtë pjesëtarë të FSK-së janë duke ndjekur trajnimet, 500 pjesëtarë të FSK-së kanë ndjekur trajnimin sa i përket mjekësisë dhe aviacionit, bashkëpunimi do të trasojë rrugën për trajnime të tjera të FSK-së, gjithashtu bashkëpunimi mes autoriteteve ushtarake, prandaj falënderojmë për këtë bashkëpunim të avancuar, ministrin dhe gjithë të tjerët. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin dhe vazhdojmë të mbështesim këtë bashkëpunim dhe vizionin e FSK-së për integrime euroatlantike”, tha ai. Në këtë konferencë po diskutohet zhvillimi i FSK-së, planet për vitin 2023 dhe për të ardhmen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.https://ata.gov.al/2022/09/27/mehaj-fsk-po-rrit-kapacitetet-e-saj/