Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare organizoi sot në Tiranë, samitin e tretë të grave të biznesit të diasporës. Tema e këtij viti “Gruaja për zhvillim të qëndrueshëm” mblodhi bashkë rreth 100 gra sipërmarrëse të suksesshme shqiptare dhe në Diasporë. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në fjalën e tij përshëndetëse vuri në dukje se investimet dhe reformat e kanë bërë Tiranën një qytet ku një grua mund të bëjë biznes më lehtë. Duke folur për barazinë gjinore, Veliaj u shpreh se 75 % e përbërjes së qeverisë janë zonja dhe zonjusha. Veliaj u ndal dhe te sulmet kibernetike të Iranit ndaj vendit tonë. “Dixhitalizmi sjell rreziqet e veta. Ne kemi pasur një sulm të jashtëzakonshëm. Shqipëria është vend mikpëritës i opozitës iraniane, ashtu siç ishte për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, apo 4 mijë afganët. Ky është sistem vlerash që vjen nga gjyshërit tanë, por duhet të ndryshojë mënyra si përgatitemi në një treg dixhital edhe për ato që janë sulmet e kohëve moderne. Sot gjithmonë e më pak, përveçse kur ke fqinj Rusinë sulmet janë me raketa. Dëmi bëhet në mënyrë dixhitale dhe ne duhet të përgatitemi”, tha ai. Samiti i Grave të Biznesit të Diasporës organizohet për të tretën herë radhazi. Sipas Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT), numri i grave në pozicione drejtuese biznesi, ose zotëruese e një biznesi, mbetet dukshëm më i ulët se i burrave. Në vitin 2019, përqindja e pronareve apo administratoreve femra në shoqëritë aktive ishte 25,4 %; krahasuar me 25,7 % në 2018. Deri në vitin 2021, gratë menaxhonin – ose zotëronin – 31,1 % të të gjitha ndërmarrjeve aktive. Kategoria e biznesit “Tregtia me pakicë, përveç tregtisë së automjeteve dhe motoçikletave” ka shënuar shkallën më të lartë të pjesëmarrjes së grave në pozitat vendimmarrëse, përkatësisht 41,8 %. Ndërmarrjet e menaxhuara nga femrat më së shpeshti funksionojnë me 1 – 4 punonjës. Gratë përbëjnë 45,7 % të totalit të fuqisë punëtore dhe gjenden kryesisht në aktivitetin ekonomik “Shërbime të tjera”, ku përbëjnë 54,9 % të tyre. Edhe pse të dhënat tregojnë një përmirësim të lehtë, të bësh biznes në Shqipëri mbetet ende sfiduese për gratë. Nga ana tjetër, potenciali i femrave sipërmarrëse shqiptare jashtë vendit mbetet pothuajse i pashfrytëzuar. Si rrjedhim, është thelbësore për femrat sipërmarrëse të Diasporës shqiptare – duke përfshirë profesioniste të reja, akademike, eksperte të biznesit, përfaqësuese të institucioneve shtetërore dhe organizatave ndërkombëtare – të bëhen bashkë dhe të propozojnë zgjidhje për situatën aktuale. Nëpërmjet prezantimeve dhe diskutimeve në panele, audienca përfitoi informacione në lidhje me mundësitë për të bërë biznes në Shqipëri, si dhe u njoh me histori frymëzuese të grave që janë bërë të suksesshme në biznes dhe që tani shërbejnë si model për të tjerët. http://ata.gov.al/2022/09/21/mbahet-ne-tirane-samiti-i-trete-i-grave-te-biznesit-te-diaspores/