Komisioni për Integrimin Europian miratoi sot projektligjin “Për gazet serrë të fluorinuara”. Të ftuar për këtë projektligj ishin zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhambulla dhe Genti Hadëraj, drejtor i Politikave të Strategjive të Zhvillimit në Ministri. Zëvendësministrja Xhambulla, u shpreh se ky projektligj përafron pjesërisht rregulloren e BE-së “Mbi gazet serrë të fluorinuara”. Ajo tha se në terma të metodologjisë, përmbajtja e projektligjit merr parasysh udhëzimet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira nga vendet e rajonit. “Ai plotëson detyrimet e amendamentit të Kigalit, sipas të cilit shtetet anëtare duhet të ngrenë sistemin e licencimit dhe kuotimit vjetor për sipërmarrësit që merren me gazet serrë të fluorinuara, pajisjet që përmbajnë gaze serrë të fluorinuara ose funksionimi i të cilave mbështetet në këto gaze”, tha Xhambulla. Relatori i çështjes, Blendi Klosi, vuri në dukje se Shqipëria është angazhuar në reduktimin e gazeve me efekt serrë, përfshirë gazet e fluorinuara, nëpërmjet angazhimeve ndërkombëtare dhe kombëtare. Pas diskutimeve, komenteve dhe sugjerimeve e pyetjeve të ndryshme, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj.https://ata.gov.al/2022/09/19/miratohet-projektligji-per-gazet-serre-te-fluorinuara/