Është rikthyer sistemi TIMS në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, pas një bllokimi prej më shumë se 24 orësh, si pasojë e sulmit kibernetik të Iranit. Sistemi është tashmë në funksion të plotë dhe regjistrimi i hyrjeve dhe daljeve në aeroport, do të bëhet përmes tij.
Po ashtu sistemi TIMS është rikthyer edhe në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, por sipas Drejtorisë së Policisë Korçë, sistemi momentalisht është i ngadaltë. Sistemi është kthyer edhe në pikën kufitare të Kakavijës, Hani i Hotit, Muriqanit dhe Morinës.
Ndërkohë bëhet me dije se sistemi TIMS ende nuk është rikthyer në Portin e Durrësit dhe në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës.
Sistemi TIMS u sulmua mbrëmjen e 9 shtatorit, ndërsa kryeministri Edi Rama bëri përgjegjës Iranin për sulmin, ku tha se është e njëjta dorë që sulmoi shërbimet publike online në muajin korrik. Si pasojë e këtij sulmi, për pak kohë u paralizua punë në aeroportin e Rinasit, por pas ndërhyrjeve, u arrit që të viheshin në punë dy sportele, ku u punua me regjistra në mënyrë manuale për të regjistruar hyrjet dhe daljet.
Pikërisht për shkak të kërcënimit të sigurisë së vendit nga sulmi kibernetik Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin.https://lajme.rtsh.al/artikull/sulmi-kibernetik-i-iranit-rikthehet-sistemi-tims-ne-aeroportin-e-rinasit-dhe-ne-5-pika-kufitare