Kërkesat për azil në vendet e Bashkimit Evropian, plus Norvegjinë dhe Zvicrën, u rritën me 68% nga viti i kaluar, në gjysmën e parë të 2022, në rreth 406 000, njoftoi Agjencia e Azilit e BE-së (EUAA). ”Aplikimet vetëm në qershor pothuajse arritën nivelet e regjistruara në kulmin e krizës së refugjatëve në 2015 dhe 2016, në rreth 73 100”, sipas të dhënave të përkohshme. Shumica e aplikantëve janë nga Afganistani, që ishte pika e origjinës për 9 100 persona, kundrejt Sirisë me 8 900 dhe Venezuelës me 4 800. EUAA tha se ukrainasve u ishte dhënë një status tjetër. Midis fillimit të pushtimit rus më 24 shkurt dhe 4 shtator, më shumë se 4,2 milionë ukrainas u regjistruan për mbrojtje të përkohshme në BE, shumica prej tyre me nënshtetësi ukrainase. Ky status u lejon refugjatëve të vendit të shmangin procesin e mundimshëm të azilit, ndërkohë që kanë akses në shkolla dhe asistencë në vendet anëtare të BE-së për një periudhë të kufizuar. ”Të marra së bashku, aplikimet për statusin e refugjatit dhe të mbrojtjes së përkohshme arritën një rekord këtë vit”, sipas të dhënave të EUAA.http://ata.gov.al/2022/09/09/fokus-euaa-kerkesat-per-azil-ne-vendet-evropiane-jane-rritur-ndjeshem/