Në Berat do të fillojë së shpejti rindërtimi i gjimnazit “Babë Dudë Karbunara”. Lajmi u bë i ditur nga kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo në një postim në rrjetet sociale, ku theksoi se godina e re do të jetë një strukturë moderne. Demo tha se “shkolla e re do të jetë me 4 kate, në të cilat janë shpërndarë funksionet e nevojshme si: palestër, auditor, bibliotekë, klasa, hapësira ndihmëse dhe laboratore në një sipërfaqe totale ndërtimi prej 4380 m2”. Sipas tij, shkolla do të ketë një oborr të brendshëm. “Shkolla do të shërbejë si hapësirë komunitare për përdorim të plotë dhe domethënës jo vetëm për mësimdhënien, por edhe gjatë orareve jashtë mësimit për aktivitete komunitare”, u shpreh Demo. Duke ndarë disa fotografi nga projekti i ri i shkollës, Demo u shpreh se ky do të jetë një superinvestim real, jo 3 dimenisonal. Shkolla “Babë Dudë Karbunara” në Berat është ndërtuar 60 vite më parë. Gjatë kësaj kohe, ka pasur disa rikonstruksione, por gjendja e ndërtesës është rënduar.