Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi sot ndryshimet në buxhetin e vitit 2022. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj e pranishme në Komision tha se përmes Aktit Normativ për ndryshimin e buxhetit, qeveria akordon edhe 6.1 miliardë lekë për të përballuar krizën ekonomike. Në këtë Akt Normativ është bërë një reduktim i tavanit të deficitit me 17 miliardë lekë, duke e ulur atë në nivelin 84 miliardë lekë nga 101 miliardë lekë që është aktualisht. Rrjedhimisht, në përqindje të PBB, ky nivel i rishikuar i deficitit ulet në nivelin 4.2%, nga 4.5% që rezultoi në vitin 2021. Ibrahimaj theksoi se borxhi publik total për vitin 2022 pritet të ulet në rreth 71.9% të PBB-së. “Borxhi publik total për vitin 2022 pritet të ulet në rreth 71.9% e PBB-së, nga 73.2% e PBB-së që rezultoi për vitin 2021. Por, në varësi të ecurisë së variablave të tjera makroekonomik deri në fund të vitit, si p.sh. vlera nominale e PBB-së, kursi i këmbimit i fundvitit, ka gjasa që raporti i borxhit publik ndaj PBB-së të jetë edhe më i ulët sa sa 71.9%, ndoshta edhe mund të rezultojë edhe poshtë nivelit 70%, por mbetet për tu parë pas mbylljes së vitit”, u shpreh Ibrahimaj. Në kahun e të ardhurave, ky akt normativ parashikon një rritje të planit të të ardhurave të përgjithshme me plus 30 miliardë lekë krahasuar me planin e rishikuar sipas Aktit Normativ të marsit të këtij viti, ose plus 40 miliardë lekë krahasuar me buxhetin fillestar 2022. “Në terma krahasimore, të ardhurat tatimore dhe doganore për 6 mujorin e parë 2022 u realizuan në nivelin 14.3 miliardë lekë ose 6.2% më shumë se plani i periudhës, dhe 42.8 miliardë lekë ose 21.1% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2021”, tha ministrja. Ibrahimaj iu përgjigj edhe akuzave të opozitës për fshehje të borxhit. “Deputetët e opozitës në raste të përsëritura për të gjitha nismat që qeveria ka marrë për përballimin e krizave, që është fakt që kanë pasur ndikim pozitiv në ekonominë e vendit nuk ka pasur për asnjë rast përshëndetje, por vetëm baltosje. Nuk ka pasur asnjë propozim konstruktiv por vetëm destruktiv. Dua tu rikujtoj se fshehje të detyrimeve të prapambetura dhe moskontabilizim të tyre, i bënte qeveria e drejtuar nga opozita e sotme. Kjo është bërë publike në vitin 2014 kur borxhi u rrit thjeshtë nga kontabilizimi i borxheve të fshehura. Atë ne nuk e bëjmë. Të dhënat tona fiskale janë të dhëna që konsultohen, dhe ju referohen të gjitha institucionet ndërkombëtare. Qëndrueshmëria fiskale dhe parametrat makroekonomik që ne synojmë të ruajmë me qëllim që Shqipëria të ketë financa të konsoliduara duhen përshëndetur. Nuk jemi në kushtet ku ne po marrim borxhe, por jemi në kushtet ku po përballojmë një krizë të paprecedentë, globale me buxhetin që kemi, duke bërë riadresim shpenzimesh drejt në suport të rritjes ekonomike dhe shtresave në nevojë”, tha ajo.http://ata.gov.al/2022/09/06/miratohen-ndryshimet-ne-buxhet-6-1-miliarde-leke-per-perballimin-e-krizes/