Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kritikuar Sindikatën e Bashkuar të Arsimit që ka hyrë në grevë që nga 25 gushti, derisa kërkoi që ta ndalin grevën dhe nga dita e hënë të fillojnë mësimin. Po ashtu pakoja e re që e prezantuan bashkë me ministrin e financave, Hekuran Muratin, ka thënë se nuk ka të bëjë me ligjin me pagat, por është për t’u përballur me inflacionin. Kurti sot në një konferencë për media, tha duke menduar veç për paga, po përfundojnë njerëzit veç për asistencë sociale. Ai ka theksuar se shkolla është shteti dhe ta bojkotosh shkollën, d.m.th. ta bojkotosh shtetin. “Shkolla është shteti, ta bojkotosh shkollën d.m.th. ta bojkotosh shtetin. Ne kemi bërë shumë luftë dhe përpjekje për shkollë që tash ta bojkotojmë atë me greva ekstremiste. Andaj unë besoj se duhet të fillojë një orë e më parë mësimi nëpër shkolla dhe iu bëjë thirrje të gjithë mësimdhënësve që të hënën të jenë në shkollë dhe aty t’u japin mësim të vegjëlve tanë”, tha Kurti. Kurti shtoi se takimet i zhvillon sipas pozitave që kanë, andaj ka shkuar sipas rregullave duke e takuar kryetarin e BSPK-së. Po ashtu, ka thënë se nuk mungon dialogu social, porse mungon racionaliteti i kërkesave. Ai thotë se kërkesat që bëhen në mënyrë delirante, e zhvlerësuan vet sindikatën. “Andaj unë do ta vazhdoj komunikimin me BSPK-në, nuk mungon komunikimi, nuk mungon dialogu social, mungon racionaliteti i kërkesave. Unë kam hall për këto kërkesa që bëhen në mënyrë delirante, sepse këto e zhvlerësuan vet sindikatën. Unë nuk besoj që mund të kemi shtet demokratik pa sindikata të fuqishme. Por, imazhi i sindikatave, fuqia e tyre negociatore, serioziteti i tyre, të gjitha këto vinë nëpërmjet dëshirave delirante, në vend se të kërkesave racionale”, theksoi Kurti. Para gazetarëve, ai tha se është për sindikatat e fuqishme edhe në sektorin privat jo vetëm në publik, duke shtuar se sindikatat i mbrojnë punëtoret kolektivisht, shtesë edhe prej ligjit, mirëpo sipas tij kërkesat absurde që janë më shumë dëshira arbitrare sesa mundësi reale, nuk mund të qojnë shtetin para. Më tej, Kurti tha se në një Kosovë me të cilën testet e Pisas po na nxjerrin ¾ e fëmijëve si analfabetë funksional, ta shantazhosh qeverinë, është papërgjegjësi absolute. “Në një Kosovë me të cilën testet e Pisas po na nxjerrin ¾ e fëmijëve si analfabetë funksional, ta shantazhosh qeverinë, ta kërcënosh qeverinë me rrenim të shtetit, se shkolla është shteti është papërgjegjësi absolute. Ne nuk shantazhohemi , por ka disa muaj që Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është duke studiuar e analizuar deri te kjo që e prezantuam sot”, vijoi Kurti. Sipas tij, duke nxjerrë analfabetë funksional, e duke menduar veç për paga, po na përfundojnë njerëzit veç për asistencë sociale. “Pikërisht duke nxjerrë analfabetë funksional, e duke menduar veç për paga, po na përfundojnë njerëzit veç për asistencë sociale, kjo reflektohet automatikisht në zhvillim ekonomik. Kur t’i nuk nxjerr kuadro të mira arsimore, atëherë prodhon ose njerëz për asistencë sociale ose punëtor krahu në Gjermani. Ne duhet ta rregullojmë sistemin arsimor, por po shihet çfarë po ndodhë, veç kërkese për pare, për ta bankrotu shtetin, për ta shkatërruar shtetin, është papërgjegjësi totale”, tha ai. Ai në konferencën për media theksoi se pakoja e re financiare, është për të luftuar inflacionin dhe s’ka të bëjë me kërkesën për miratimin e Ligjit për Paga. “50 euro të cilat në do t’i japim si shtesë të gjithë punëtoreve në sektorin publik, duke filluar nga muaji shtator do të vlejnë për muajt në vijim të këtij viti fiskal. Pastaj viti 2023 është vit tjetër fiskal. Por, kjo nuk ka të bëjë me pagat. Kjo është për t’u përballur me inflacionin, nuk ka të bëjë me ligjin e pagave”, tha ai. Në fund, Kurti bëri thirrje komunave të Kosovës që të pushojnë me sjelljen destruktive e me bojkotin karshi Ministrisë së Financave. Sipas tij, bojkoti që mos të dorëzohen listat te kjo ministri nuk është thjesht politik antiqeveritare por është anti shtetërore. “Realiteti që kemi nuk është thjesht vendim qeveritar, është edhe zbatim ligjor. Ministri i Financave ka obligime ligjore, ky duhet të kujdeset që kush s’punon, s’paguhet. Rrënohet sistemi nëse ne paguajmë njerëz që s’punojnë. Tash bojkoti që mos të dorëzohen listat te Ministria Financave nuk është thjesht politik antiqeveritare por është anti shtetërore, kjo është m’i shpall luftë shtetit. Bojkoti që një pjesë jo e vogël e komunave, ja bëjnë Ministrisë së Financave d.m.th. t’i shpallesh luftë shtetit, e përkundër kësaj ne jemi racional”, ka shtuar Kurti.http://ata.gov.al/2022/09/03/kurti-komunat-i-shpallen-lufte-shtetit-ta-bojkotosh-shkollen-i-bie-ta-bojkotosh-shtetin/