Bashkia e re Divjakë kufizohet në veri me bashkinë Rrogozhinë, në lindje me bashkinë Lushnjë, në jug me bashkinë Fier dhe në perëndim me Detin Adriatik. Kryeqendra e bashkisë është qyteti i Divjakës.
Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e Divjakës numëron një popullsi prej 34.254 banorësh ndërkohë që në regjistrin civil rezulton një popullsi 53.372 banorësh. Territori i bashkisë së re është 309.58 km2 dhe me densitet popullsie 172.40 banorë/km2. Kjo bashki përbëhet nga 5 njësi administrative.
Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 36 fshatra. Bashkia e Divjakës përbëhet pothuajse tërësisht nga zona rurale. Bashkia e re ka një shtrirje veri-jug ndërkohë që rrugët janë më së shumti në drejtimin lindje-perëndim dhe lidhja rrugore mes qytetit të Divjakës dhe komunave Gradishtë e Rremas.
Bashkia e re ndodhet në një zonë tërësisht rurale dhe pjellore, ndërkohë që pjesë e territorit të kësaj bashkie është edhe parku kombëtar Divjakë-Karavasta, si dhe plazhi i Divjakës. Bashkia e re ka aktivitet kryesor ekonomik bujqësinë dhe në një masë më të vogël peshkimin në lagunën e Karavastasë.
Prodhimi kryesor bujqësor janë bostanoret, të cilat shiten në tregun e brendshëm si dhe eksportohen në shumë vende të Europës qendrore dhe lindore. Divjaka ka perspektivë të mirë për zhvillimin e turizmit detar si dhe ekoturizmit. Gjatë viteve të fundit këtu është shfaqur turizmi i vrojtimit të zogjve për shkak të pranisë së një kolonie të vogël pelikanësh në zhdukje në lagunën e Karavastasë.
Turizmi është zhvilluar më së shumti për turistët ditorë dhe kulinaria është e përqendruar te prodhimet e peshkut, për të cilat zona është e famshme në të gjithë vendin