Regjistri i Fermerit është instrumenti i ri në dorë të fermerëve për të mundësuar protokolle dhe gjurmueshmëri të prodhimit cilësor bujqësor për konsumatorët, për të qenë më të sigurtë në tregun vendas dhe ndërkombëtar. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca u shpreh sot se, “regjistrimi i të dhënave për produktet e mbrojtjes së bimëve (PMB) të përdorura në fermë si dhe numri e data e spërkatjes apo intervalet e sigurisë janë protokolle absolutisht thelbësore për konsumatorët mbi sigurinë ushqimore të produkteve bimore fundore, për sigurinë e shëndetit të fermerëve, për mbrojtjen e mjedisit si dhe rritjen e besueshmërisë së eksporteve shqiptare”. “Të gjitha këto janë parashikuar në hartimin e regjistrit të fermerit për një përdorim të qëndrueshëm të PMB-ve, në varësi të kulturave bimore duke shënuar datat e trajtimit, fazat fenologjike të bimës, emrin tregtar të PMB-së duke cilësuar edhe lëndën aktive, emrin e farmacisë bujqësore apo pikës së tregtimit, sipërfaqen e trajtuar dhe dozën e përdorimit referuar etiketës, arsyen e përdorimit sipas parazitit ose shkakut të përdorimit. Të dhëna këto që na sigurojnë gjurmueshmëri dhe përgjegjshmëri në prodhimin e tokës sonë në zinxhirin e plotë furnizues”, theksoi Krifca në një postim në rrjetet sociale. “Jemi në territor së bashku me fermerët dhe agronomët tanë të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve për ti asistuar fermerët tanë me këtë plan të ri”, përfundoi Krifca.https://ata.gov.al/2022/08/29/krifca-regjistri-i-fermerit-instrumenti-i-ri-ne-dore-te-konsumatorit/