Bizneset mund të humbin 1 milion euro në ditë nga mungesa e energjisë

0
7

Ndërprerja e energjisë elektrike po u shkakton humbje bizneseve dhe ekonomisë së vendit. Ndërtimtaria dhe gastronomia janë fushat që janë prekur më së shumti. Kryetari i AKB-së Agim Shahini tha se nëse vazhdon problemi me energjinë humbjet do të jenë 1milion euro në ditë, duke e pasur parasysh përdorimin e gjeneratorëve dhe shtrenjtimin e naftës. Ndërprerja e energjisë elektrike në pikë të verës po u nxjerrë telashe kompanive ndërtuese. Pronari i një kompanisë të ndërtimit Jahir Morina tha se ndërprerja e energjisë i ka shkaktuar rreth 30% humbje në ditë. Ai tha se kjo po i kthen ata 20 vite mbrapa. “Reduktimet e energjisë elektrike sidomos në sektorin e ndërtimtarisë edhe gastronomisë na kanë sjellë humbje jashtëzakonisht të mëdha. Na ka kthyer 20 vite mbrapa dhe po ndodhë në valët e punës sepse dihet se është sezon i ndërtimit. Çdo reduktim 2 orë po na shkakton humbje 30% të orarit të punës gjatë ditës. Ne start jemi me 25% humbje çdo ditë kjo me blerje të gjeneratorëve jemi kthyer mbrapa. Ne nuk mund te funksionojmë me ndërprerje te energjisë”, tha Morina. Ndërsa problemet me energjinë kanë prekur edhe gastronominë. Pronari i një kafeneje në Lagjen “Dardania” në Prishtinë po thotë se gjatë reduktimeve ata po detyrohen të mbyllin lokalin sepse nuk po mund të shërbejnë. “ Gjatë ndërprerjes së rrymës ne po e mbyllim lokalin, sepse nuk po mund të shërbejmë kafe e as të bëjmë pagesa”, tha ai. Mungesën e energjisë elektrike nuk e kanë pritur fare mirë bizneset e vendit. Përfaqësuesi i tyre kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, i tha Radio Kosovës se humbjet do të jenë të mëdha nëse vazhdohet me reduktime. Madje, ai tha se kjo do t’i kushtojë ekonomisë e bizneseve të vendit 1 milion euro në ditë. “ Humbjet në ekonominë dhe bizneset e Kosovës do të ishin diku rreth 1 milion euro në ditë duke përdorur gjeneratorët si alternativë qoftë në sektorin e prodhimit, qoftë të shërbimeve duke pasur parasysh se nafta tani është shtrenjtuar dhe kjo do të ishte goditje në këtë krizë për biznesin vendor, por edhe për investitorët e huaj “. Krahas pagesave të faturave të energjisë në veri ,ai tha se qeveria duhet të subvencionoj energjinë, sepse është organi kryesor i çdo sektori të ekonomisë. E Oda e Afarizmit të Kosovës ka kërkuar nga qeveria të krijohet një fond i veçantë për përkrahje të bizneseve për humbjet që po u shkaktohen nga ndërprerja e energjisë.https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=614956