Tuesday, November 26, 2024
HomeSOCIALEÇmimet/ Tregu vendas nuk ka lidhje me krizën, rritje abuzive dhe të...

Çmimet/ Tregu vendas nuk ka lidhje me krizën, rritje abuzive dhe të pajustifikuara

Norma e inflacionit në Shqipëri vazhdoi kursin rritës, duke arritur në 7.5% në korrik, më e larta që nga marsi i vitit 2002. Çmimet u rritën, më së shumti, në grupin e transportit me 19.7%, kur ishin rritur me 26.9% në qershor. Nuk ka tregues që e lidhin një rritje të tillë me rritjen e çmimit të karburanteve, naftës dhe benzinës. Të dy këto produkte në muajin korrik janë më të lirë në treg se muajt e parë të vitit. Ndërkohë qeveria ka dhënë gjysëm miliard lekë për transportin urban në tre muajt e kaluar dhe ka planifikuar përsëri të njëjtën shumë për paketën në vijim. Nuk ka arsye të rritet çmimi as në shërbimin interurban, sepse kostot e larta të karburantit rimbursohen. Rritja me rreth 20 përqind në korrik është tërësisht abuzive dhe lidhet me ritmin e lartë të rritjes së lëvizjeve në këtë sezon pushimesh. Ushqimet dhe pijet joalkoolike janë rritur me mbi 13 % në korrik, më shumë se në qershor. Dallohen vaji dhe yndyrat që janë rritur me mbi 30%. Çfarë ka ndikuar duke qenë se Shqipëria ka bërë funksional edhe një bord të mbikqyrjes së këtyre çmimeve. Tregu duket se nuk kontrollohet për abuzime të mundshme dhe rritja vlerësohet artificiale. Çmimet e zhdoganimit, të raportuara në shërbimin doganor shqiptar janë disa herë më të ulëta se sa çmimet në treg. Theksojmë, disa herë dhe jo në përqindje! Çmimi i bukës dhe drithërave në korrik është rritur me 18.2% edhe pse në tregun vendas është shënuar një prodhim i bollshëm gruri dhe mielli me çmim me të lartë se vitin e kaluar, por më të lirë se sa tregu i importit. E njëjta dukur është edhe me çmimin e qumështit, djathit dhe vezë, që janë rritur me 15.4%. Çmimet ndërkombëtare të këtyre produkteve nuk kanë ndryshuar me këtë ritëm sa në tregun shqiptar. Spekulimet janë të dukshme dhe bëhen më shqetësuese kur kjo rritje deklarohet nga shoqatat përfaqësuese të këtyre bizneseve dhe vendosja e çmimeve bëhet vertikalisht dhe horizontalisht pa tërhequr vëmendjen e Autoritetit të Konkurrencës, që duhet të ndërhyjë për të ruajtur konkurueshmërinë dhe vendosjen e diktuar të çmimeve. Nuk ka asnjë shenjë të ndjekjes së këtij abuzimi. Rritja e inflacionit, pra edhe e çmimeve ka ardhur në muajin korrik edhe nga rritja e kostos së banesave, ujit, rrymës dhe lëndëve djegëse të tjera, me rreth 3.4%, sipas Institutit të Statistikave (INSTAT). Qeveria ka paguar më shumë se 20 miliardë lekë vetëm për të mbajtur të lirë çmimin e energjisë elektrike, i cili, pavarësisht konjukturës së tregut ndërkombëtar, ku vërehen çmime të çmendura, në tregun vendas nuk ka rritje të çmimit të energjisë për familjarët, pra për rreth 840 mijë familje dhe për biznesin e vogël dhe të mesëm, që e paguan energjinë me 19 lekë për kilovatorë nga më shumë se 45 që është aktualisht në import. As kërkesë për rritje konsumi nuk ka që të justifikohet rritja e çmimit. Ajo që po ndodh i ka bërë çmimet e produkteve dhe shërbimeve të fluturojnë pa pasur lidhje me krizën globale dhe të jenë më të lartat e regjistruara në Shqipëri në 20 vitet e fundit, nga marsi i vitit 2002. Është e vërtetë që kjo është shoqëruar me më shumë se 13 miliardë lekë më shumë të ardhura nga tatimi mbi vlerën e shtuar për këtë periudhë, por informaliteti po dëmton më së shumti konsumatorin me të ardhura të ulëta sesa po ndihmon buxhetit e shtetit.https://lajme.rtsh.al/artikull/cmimet-tregu-vendas-nuk-ka-lidhje-me-krizen-rritje-abuzive-dhe-te-pajustifikuara-

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments