Autoritetet estoneze çmontuan dhe zhvendosën sot një monument të epokë sovjetike në qytetin Narva, pranë kufirit me Rusinë. Qeveria estoneze në Talin kishte aprovuar më herët vendimin për heqjen e monumentit sovjetik nga hapësirat publike të vendit anëtar të Bashkimit Europian dhe NATO-s, pas një debati publik që pasoi sulmin rus kundër Ukrainës në fillim të këtij viti. “Si simbole të shtypjes dhe pushtimit sovjetik, ato janë shndërruar në burim tensionesh të vazhdueshme sociale dhe në këto kohë kemi nevojë të minimizojmë çdo kërcënim ndaj rendit publik”, deklaroi kryeministrja estoneze Kaja Kallas. Tanku sovjetik “T-34”, që u inagurua si monument në vitin 1970, ishte instaluar në pikën ku Ushtria e Kuqe kapërceu lumin Narva gjatë Luftës II Botërore dhe zmbrapsi trupat gjermane nga qyteti. Estonia ishte e pushtuar nga Bashkimi Sovjetik dhe nga Gjermania gjatë Luftës II Botërore. Shteti balltik mbeti pjesë e pavullnetshme e Bashkimit Sovjetik deri në shpërbërjen e tij në vitin 1991. Tanku u çmontua dhe u transportua në muzeun estonez të luftës, rreth 200 kilometra në veri të kryeqytetit Talin. Gjashtë monumente të tjerë të epokës sovjetike janë zhdukur tashmë nga qyteti i tretë më i madh i Estonisë. Banorët e Narvas kanë kundërshtuar heqjen e tankut, pasi më shumë se 90% e popullsisë së qytetit janë rusë etnikë dhe këshilli lokal e kishte shmangur marrjen e një vendimi për monumentin. Autoritetet deklaruan se heqja e monumentit u realizua pa incidentet të rënda. Thuajse një e katërta e popullsisë së përgjithshme prej 1.3 millionë banorësh të Estonisë janë rusë etnikë dhe sondazhet tregojnë se një pjesë e mirë e tyre mbështesin sulmin e presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës. Politikanët estonezë e kanë deklaruar hapur se edhe vendi i tyre mund të pushtohet nga rusët.http://ata.gov.al/2022/08/16/estoni-hiqet-monumenti-i-epokes-sovjetike/