Sipas raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë për politikën monetare, interesi mesatar i kredive në lekë për bizneset u ngjit në 6,5% në tremujorin e tretë të vitit, nga 6,3% në dy tremujorët e parë. Megjithatë, kjo normë rezulton 0,2 pikë përqindje më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja më e fortë u regjistrua te kreditë me vlerë mbi 35 milionë lekë, ku interesi mesatar arriti në 7%, nga 6,1% në gjysmën e parë të vitit.
Ndërkohë, për individët, kreditë hipotekare në lekë shënuan ulje të interesave në 3,7%, nga 3,9% në fillim të vitit. Në të kundërt, kreditë konsumatore vijuan të kenë kosto më të lartë, me një interes mesatar prej 9,1%.
Në tregun e kredive në euro, interesi për bizneset arriti në 6,4% në tremujorin e tretë, nga 6% në gjysmën e parë të vitit.
Ndërsa për individët, interesat e kredive hipotekare në euro shënuan një rënie të lehtë, në 5,1%, nga 5,2%.
Të dhënat tregojnë se diferenca mes interesit të kredive për bizneset në lekë dhe atyre në euro është vetëm 0,1 pikë përqindjeje, duke reflektuar ngushtimin e diferencës së kostos së financimit mes dy monedhave.
Banka e Shqipërisë vlerëson se interesat e kredive në lekë vijojnë të qëndrojnë në nivele relativisht të ulëta, duke mbështetur financimin e ekonomisë, ndërsa bizneset që marrin kredi në euro përballen me kosto më të larta huamarrjeje.





