Shqipëria po konsolidon pozitat e saj në tregjet agro-ushqimore përmes zhvillimit të shpejtë të hortikulturës, investimeve private në serra dhe zgjerimit të eksporteve bujqësore, të cilat gjatë periudhës 2016–2024 u rritën mesatarisht me rreth 15% në vit. Kjo ecuri vlerësohet si një shembull suksesi në rajon në raportin më të ri të Bankës Botërore, “Nga ferma në treg: Vlerësim i konkurrueshmërisë së sektorit agro-ushqimor në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi”.
Sipas raportit, rritja e eksporteve shqiptare është nxitur nga zinxhirë dinamikë të vlerës në prodhimin e perimeve, agrumeve, ullinjve, si dhe bimëve mjekësore dhe aromatike. Investimet në prodhimin në serra, infrastrukturën pas vjeljes dhe rrjetet e tregtarëve e eksportuesve, të kombinuara me kushtet e favorshme për prodhimin bujqësor, kanë krijuar mundësi për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare.
Banka Botërore e evidenton hortikulturën shqiptare si një nga shembujt që dëshmojnë potencialin e vendeve të rajonit për të kaluar drejt një bujqësie më konkurruese, me prodhim me vlerë të shtuar dhe orientim më të madh drejt tregjeve. Ky model, sipas vlerësimit, tregon se investimet dhe zhvillimi i zinxhirëve të vlerës mund të krijojnë mundësi përtej prodhimit tradicional.
Megjithatë, raporti nënvizon se Shqipëria mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve klimatike, përfshirë përmbytjet, thatësirat dhe zjarret në pyje, të cilat përbëjnë një kërcënim në rritje për prodhimin bujqësor dhe qëndrueshmërinë e sektorit.
Për të ruajtur ritmet pozitive dhe për të rritur më tej konkurrueshmërinë, Banka Botërore rekomandon krijimin e një kuadri më të parashikueshëm për investimet, forcimin e sistemeve të sigurisë ushqimore dhe organizimin më të mirë të zinxhirëve të vlerës. Këto masa do të ndihmonin në rritjen e vlerës së shtuar të produkteve, përmirësimin e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike dhe përfshirjen e më shumë fermerëve në tregjet rajonale dhe të Bashkimit Evropian.
Raporti, i përgatitur për Komisionin Evropian përmes Fondit të Besimit me Shumë Donatorë të Grupit të Bankës Botërore “FoodSystems 2030”, vlerëson potencialin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë për zhvillimin e sektorëve agro-ushqimorë më konkurrues dhe të qëndrueshëm, në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Në analizën rajonale theksohet se, pavarësisht rezultateve pozitive në eksportin e frutave, perimeve, frutave të pyllit, drithërave, farërave vajore, verës dhe produkteve të përpunuara, potenciali agro-ushqimor ende nuk është shfrytëzuar plotësisht. Fragmentimi i fermave dhe zinxhirëve të vlerës, mangësitë në sigurinë ushqimore dhe infrastrukturën e tregut, si dhe rreziqet klimatike mbeten ndër sfidat kryesore.
Banka Botërore vlerëson se investimet strategjike, inovacioni, modernizimi i prodhimit dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike janë thelbësore për të forcuar konkurrueshmërinë e sektorit agro-ushqimor dhe për të përfituar nga mundësitë që ofron tregu i integruar evropian.





