Sipas INSTAT, gjatë periudhës korrik-shtator 2026 u regjistruan gjithsej 5.787 lindje dhe 5.045 vdekje. Krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti, numri i lindjeve u rrit me 13,9%, ndërsa vdekjet shënuan një rritje prej 3,7%.

Megjithatë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025, lindjet kanë pësuar rënie me 10,5%, ndërsa vdekjet janë rritur lehtë me 0,4%.

Sipas INSTAT, pesë qarqe të vendit regjistruan shtesë natyrore pozitive, ndërsa në shtatë qarqet e tjera numri i vdekjeve ishte më i lartë se ai i lindjeve.

Tirana kryeson me bilancin më të lartë pozitiv, me 1.380 lindje më shumë se vdekje. Ndërsa Korça shënon bilancin më negativ, me 220 vdekje më shumë se lindje.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë tremujorit të tretë 2026, në dy qarqe të vendit numri i lindjeve u rrit, ndërsa në dhjetë qarqe të tjera u regjistrua rënie, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Qarku i Tiranës regjistroi numrin më të lartë të lindjeve, me 2.708 foshnja të ardhura në jetë. Ndërsa numri më i ulët u shënua në Gjirokastër, me vetëm 66 lindje.

Për sa i përket ndryshimit në përqindje, Dibra regjistroi rritjen më të lartë të lindjeve, me 3,9%. Rënia më e madhe u shënua në Fier, ku lindjet u pakësuan me 20,1% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025.

Sa u përket vdekjeve, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, shtatë qarqe regjistruan rritje, ndërsa pesë të tjera shënuan ulje, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Edhe në këtë tregues, Tirana mban numrin më të lartë, me 1.328 vdekje. Ndërsa Kukësi regjistroi numrin më të ulët, me 118 raste.

Rritja më e madhe në përqindje e vdekjeve u shënua në Kukës, me 15,7%, ndërsa Dibra regjistroi uljen më të theksuar, me 17,8%.