Projekti për hyrjen e Shkodrës, i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe i mbështetur nga qeveria, synon transformimin e zonës në një hapësirë multifunksionale dhe rekreative.
Në kuadër të projektit parashikohet krijimi i një parku me sipërfaqe rreth 17-18 hektarë, i cili do të përfshijë mjedise sportive, shëtitore për këmbësorë dhe biçikleta, pika panoramike me pamje nga liqeni, si dhe hapësira për aktivitete të ndryshme dhe koncerte.
Pjesë e ndërhyrjes janë edhe ndërtimi i fushave të reja sportive dhe i një moli të ri, i cili do të lidhet me mole të tjera në Shirokë dhe Zogaj.
Projekti synon të krijojë më shumë hapësira publike për qytetarët dhe vizitorët, duke zgjeruar mundësitë për aktivitete sportive, rekreative dhe shëtitje në zonën e hyrjes së qytetit.





