Njëqind vjet pas rizbulimit të tij nga studiuesi italian Luigi Ugolini, hetimet e reja kanë nxjerrë në dritë struktura të shumta të panjohura më parë, si brenda Parkut Arkeologjik, ashtu edhe në zonën përreth, shkruan ”Finestre sull arte”, faqja e njohur italiane kushtuar artit, historisë së artit, arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore, që publikon artikuj për zbulime arkeologjike, monumente historike, ekspozita dhe kërkime shkencore.
Zbulimet janë rezultat i një fushate vrojtimesh topografike dhe eksplorimesh, të cilat kanë identifikuar ndërtesa, sisteme të furnizimit me ujë, fortifikime dhe varrime të lashta, duke zgjeruar kuptimin tonë për një peizazh historik që është formuar nga shtresa të ndryshme gjatë shekujve.
Enrico Giorgi, profesor në Departamentin e Historisë, Kulturës dhe Qytetërimit në Universitetin e Bolonjës, po koordinon misionin arkeologjik së bashku me Belisa Mukën, nga Departamenti i Antikiteteve në Institutin Arkeologjik të Tiranës.
Për më tepër, për ta bërë të mundur këtë fazë të re kërkimesh, është krijuar një bashkëpunim me Laboratorin e Arkeologjisë së Peizazhit dhe Teledetektimit në Universitetin e Sienës, të drejtuar nga profesori Stefano Campana.
Projekti përfshin krijimin e studimit të parë të plotë topografik të Parkut Arkeologjik të Butrintit dhe Gadishullit të Ksamilit, në afërsi të tij, duke përdorur teknologjinë LiDAR, një mjet që mundëson studimin e terrenit edhe në vendet ku bimësia e bën të vështirë eksplorimin e drejtpërdrejtë.
LiDAR, një akronim për Light Detection and Ranging (zbulimi dhe matja e distancës me anë të dritës), është një sistem vëzhgimi i bazuar në lazer, i cili, kur montohet në një dron, mundëson matje shumë të sakta të sipërfaqes së tokës, duke dalluar karakteristikat e terrenit nga mbulesa bimore.
Të dhënat e mbledhura përdoren për të krijuar një model digjital me rezolucion shumë të lartë, i cili paraqet peizazhin sikur pemët dhe shkurret të mos ekzistonin.
“Butrinti është një vend i jashtëzakonshëm: një kep që mbikëqyr një lagunë, i banuar pothuajse vazhdimisht për mijëvjeçarë”, shpjegon Enrico Giorgi.
“Megjithatë, është gjithashtu një vend i vështirë për t’u studiuar, sepse pjesë të mëdha të parkut dhe kodrat përreth janë të mbuluara me bimësi natyrore të dendur, e cila fsheh tokën dhe gjithçka që gjendet nën të”, shton ai.
Kështu, bëhen të dukshme edhe ndryshimet më të vogla në terren. Depresionet, vijëzimet dhe format e pazakonta gjeometrike identifikohen si anomali të mundshme, domethënë si shenja të strukturave që mund të jenë ndërtuar nga njerëzit dhe më pas të jenë mbuluar nga bimësia ose dheu.





