Dy kompani kineze të pijeve kanë ndërprerë menjëherë bashkëpunimin me yllin francez të futbollit, Kylian Mbappe, pas komenteve të tij të supozuara për një figurë historike kineze.
Të dyja kompanitë deklaruan se nuk do të tolerojnë sjellje që cenojnë ndjenjat e popullit kinez, por nuk dhanë detaje të mëtejshme mbi arsyet e vendimit.
Në rrjetet sociale kanë qarkulluar pamje nga një intervistë në formë podkasti, gjatë së cilës Mbappe u pyet për memen e tij të preferuar. Ai përmendi një imazh ku fytyra e tij ishte vendosur mbi trupin e një personi që e përshkroi si një diktator kinez.
Bëhet fjalë për meme që paraqesin futbollistin me imazhin e Mao Ce Dunit, një prej themeluesve të Republikës Popullore të Kinës, i cili vazhdon të nderohet gjerësisht në vend. Përmbajtjet që kritikojnë udhëheqësit politikë të Kinës i nënshtrohen censurës së rreptë.
Mbappe kishte marrëveshje reklamimi me një prodhues pijesh sportive nga Shenzheni dhe një kompani të njohur të produkteve të qumështit nga Mongolia. Fytyra e tij shfaqej edhe në etiketat e produkteve.
Edhe një tjetër prodhues i produkteve të qumështit dhe platforma e njohur kineze e rrjeteve sociale “Xiaohongshu”, e ngjashme me Instagramin, njoftuan ndërprerjen e bashkëpunimit me të. Ndërkohë, televizioni shtetëror kinez ndaloi transmetimin e reklamave me futbollistin.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, deklaroi se fjalët dhe veprimet që lëndojnë ndjenjat e popullit kinez do të përballen me kundërshtimin e përbashkët të shoqërisë kineze.
Nga ana tjetër, La Liga spanjolle shprehu keqardhje për fyerjen e shkaktuar nga komentet, duke theksuar se ato ishin bërë në cilësi personale dhe nuk përfaqësonin qëndrimin e ligës. Ajo nënvizoi se futbolli spanjoll mbështet respektin, bashkëjetesën dhe unitetin mes njerëzve të kulturave të ndryshme, si dhe shprehu respekt për Kinën, institucionet dhe popullin e saj.





