Sipas projektvendimit, këto subjekte do të financojnë ose do të marrin pjesë në organizatat e përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit dhe në sistemin e depozitë-rimbursimit, pa mbështetje financiare nga buxheti publik.
Detyrimet përfshijnë pagesën e tarifave të ambalazhit për funksionimin e organizatave të licencuara mjedisore, blerjen e koshave të grumbullimit të diferencuar, transportin e mbetjeve dhe investimet në sistemet e deklarimit dhe gjurmueshmërisë.
Bizneset do të mbulojnë edhe kostot e makinerive automatike për kthimin e ambalazheve, tarifat e menaxhimit për dyqanet që marrin pjesë në sistem dhe rimbursimin e bashkive për shpenzimet përkatëse të menaxhimit të mbetjeve.
Ndërsa kontributet financiare do të diferencohen sipas karakteristikave të ambalazheve, përfshirë shkallën e riciklueshmërisë dhe përmbajtjen e materialit të ricikluar.
Një tjetër ndryshim prek drejtpërdrejt konsumatorët. Për shishet plastike njëpërdorimëshe dhe ambalazhet metalike të pijeve deri në tre litra parashikohet vendosja e një depozite monetare gjatë blerjes, e cila do të kthehet plotësisht pasi konsumatori të dorëzojë ambalazhin bosh në një pikë të autorizuar.
“Për ambalazhet e pijeve njëpërdorimëshe ngrihet Sistemi i Depozitë-Rimbursimit, ku konsumatori paguan një tarifë depozite në blerje e cila i rimbursohet atij plotësisht pas kthimit të ambalazhit bosh në pikat e autorizuara të shitjes”, thuhet në nenin 7 të këtij projektvendimi.
Sistemi synon që deri më 1 janar 2031 të grumbullohet veçmas të paktën 90% e ambalazheve të përfshira në këtë skemë. Konsumatorët do të kenë të drejtë ta marrin depozitën pa qenë të detyruar të kryejnë një blerje tjetër.
Ndryshime parashikohen edhe për qeset plastike, ku projektvendimi ndalon prodhimin, importimin, shpërndarjen dhe përdorimin në pikat e shitjes të qeseve mbajtëse plastike me trashësi nën 70 mikronë, duke ruajtur përjashtimet për qeset shumë të lehta që përdoren për qëllime higjienike ose për ushqime të shitura pa ambalazh.





