Bashkia Vorë ka shpallur garën për rikonstruksionin e rrugës dytësore që lidh Vorën me Tiranën, e njohur edhe si Rruga Industriale, me synim përmirësimin e infrastrukturës dhe lehtësimin e lëvizjes për bizneset që operojnë përgjatë saj.

Sipas dokumentacionit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, fondi limit për këtë investim është 237 milionë e 131 mijë lekë.

Segmenti rrugor ka një gjatësi prej rreth 3,883 metrash dhe përbën një aks të rëndësishëm për zonën e Vorës, për shkak të fluksit të konsiderueshëm të automjeteve, dendësisë së popullsisë dhe numrit të bizneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre përgjatë tij.

Rikonstruksioni synon përmirësimin e kushteve të qarkullimit dhe të aksesit në këtë zonë me rëndësi për aktivitetin ekonomik.