Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, nga numri i përgjithshëm i transfertave hyrëse dhe dalëse, rreth 43% janë kryer nga individët dhe pjesa tjetër nga bizneset. Përdorimi i kanaleve digjitale është gjithashtu i konsiderueshëm, pasi 69% e transfertave dalëse janë iniciuar përmes shërbimeve bankare në internet ose aplikacioneve në celular.
Efekti i sistemit vihet re veçanërisht në uljen e tarifave bankare. Për një transfertë prej 5 mijë eurosh, tarifa ka zbritur nga 0,76% në 0,08%, ndërsa për një transfertë prej 20 mijë eurosh, nga 0,47% në 0,02%.
Ulja e kostove lehtëson dërgesat e emigrantëve drejt familjeve në Shqipëri dhe pagesat që bizneset shqiptare kryejnë me partnerët e tyre në vendet pjesëmarrëse në SEPA. Për kompanitë që realizojnë rregullisht transferta me vlera të larta, tarifat më të ulëta ndihmojnë në reduktimin e shpenzimeve financiare.
Sipas parashikimeve të mëparshme, kursimet për ekonominë shqiptare nga ulja e kostove të transaksioneve në euro vlerësohen në rreth 70 milionë euro.
Përtej përfitimit financiar, përdorimi i SEPA-s nxit edhe digjitalizimin e shërbimeve bankare dhe lehtëson marrëdhëniet ekonomike me vendet europiane. Përfshirja në këtë sistem përbën një hap të rëndësishëm në përafrimin e infrastrukturës shqiptare të pagesave me atë të Bashkimit Europian.





