Penelatat e para të vjeshtës ndihen në Tiranë por janë të paimagjinueshme në male, ku vera e gjatë e përvëluese ka “vulosur” shpatet me ngjyrën e artë të barit dhe të kuqen e shkurreve. Pemët ende “mbahen” duke krijuar kombinime fantastike të së gjelbrës me nuancat vjeshtore të së verdhës, të murrmes e kafes.

E gjitha kjo as nuk mund të përshkruajë kënaqësinë e një ecjeje në Malin me Gropa në malësinë e Tiranës, ndërsa bari i gjatë tërësisht i artë përkundet nën freskinë e flladit të shtatorit dhe befas përballesh me peizazhet hënore të malit por që kësaj radhe shkëlqejnë si thesare ari e bizhush.

Magjia e fshatrave të Tiranës në vjeshtë përzjen ngjyrat, aromat dhe shijet që ndihen në ajër. Drita e diellit ndryshon peizazhet, ndërsa nisemi drejt Majës së Meçekut, pika më e lartë e Malit me Gropa një prej monumenteve më të jashtëzakonshme të natyrës sonë.

Udhëtimi nis në fshatin piktoresk të Shënmërisë, një toponim i krishterë në një zonë pothuajse me popullsi muslimane por jo i pazakontë për luginën e Shëngjergjit ku emrat e fshatrave e lagjeve mbartin dëshmi të forta të periudhës paraosmane.

Shëngjergj, Shënmëri, Shëllinë (Shën Elena), Shëngjin janë disa nga toponimet që ndeshen në zonë.