Sipas INSTAT, 31,3% e ndërmarrjeve me 10 e më shumë të punësuar kanë shitur produkte ose shërbime online gjatë vitit 2026, nga 28,1% në vitin 2025.

Ndërkohë, pesha e xhiros së realizuar nga shitjet online ndaj shitjeve totale u rrit në 11,4%, nga 10,1% një vit më parë, duke shënuar një rritje prej 1,3 pikë përqindjeje.

Rritje është regjistruar edhe në përdorimin e inteligjencës artificiale. Në vitin 2026, 12,4% e ndërmarrjeve përdorën sisteme të inteligjencës artificiale, kundrejt 9% në vitin 2025.

Përdorimi i shërbimeve cloud u rrit në 35,3%, nga 33,9% një vit më parë, ndërsa 36,9% e ndërmarrjeve përdorën një ose më shumë aplikacione softuerike për planifikimin e burimeve të ndërmarrjes (ERP), nga 31,1% në vitin 2025.

Edhe prania online e bizneseve është zgjeruar. Në vitin 2026, 62,9% e ndërmarrjeve kanë një faqe interneti, nga 61% në vitin 2025, ndërsa përdorimi i mediave sociale arriti në 88,1%, me një rritje prej 1,6 pikë përqindjeje.

Pothuajse të gjitha ndërmarrjet, 99,5%, përdorin kompjuter me akses në internet për qëllime pune, ndërsa 38,3% e të punësuarve përdorin kompjuter me akses në internet në punën e tyre, nga 35,1% në vitin 2025.

Një tjetër tregues i rëndësishëm është rritja e shpejtësisë së internetit. Në vitin 2026, 66,6% e ndërmarrjeve përdorin internet me shpejtësi shkarkimi mbi 100 Mbit/s, nga 50,4% një vit më parë.

Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, të gjitha bizneset e mëdha me mbi 250 të punësuar kanë një faqe interneti. Ndërkohë, përdorimi i inteligjencës artificiale në këtë grup u rrit nga 24,8% në 2025 në 28,1% në 2026.

Rritjen më të madhe në shitjet online e shënuan ndërmarrjet e mesme me 50-249 të punësuar, ku treguesi u rrit nga 14,2% në 22,9%.

Për sa i përket aktiviteteve ekonomike, shitjet online kanë peshën më të lartë në aktivitetet e telekomunikacionit, programimit kompjuterik, konsulencës, infrastrukturës kompjuterike dhe shërbimeve të tjera të informacionit, me 53,8%, të ndjekura nga akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 52,7%.

Ndërsa për specialistët e TIK-ut, përqindjet më të larta regjistrohen në aktivitetet e botimit, transmetimit, prodhimit dhe shpërndarjes së përmbajtjeve, me 79,3%, dhe në aktivitetet e telekomunikacionit, programimit kompjuterik dhe shërbimeve të tjera të informacionit, me 73,8%.