Shqipëria po zbulohet gjithnjë e më shumë përmes natyrës së saj, ndërsa zonat e mbrojtura po shndërrohen në pika të rëndësishme të itinerareve turistike.
Peizazhet e larmishme, biodiversiteti dhe mundësitë për turizëm në natyrë po tërheqin një numër në rritje vizitorësh, duke i dhënë një dimension të ri ofertës turistike shqiptare.
Zonat e Mbrojtura përbëjnë një prej pasurive më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë dhe vitet e fundit janë kthyer gjithnjë e më shumë në destinacione të kërkuara për turizmin e aventurës, ekoturizmin dhe aktivitetet në natyrë.
Zonat e mbrojtura në Shqipëri vijuan të zgjerohen gjatë vitit 2025, duke arritur në 777 zona, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 625 551 hektarësh, ose 21,7% të territorit të vendit.
Sipas statistikave të publikuara nga INSTAT, zonat e mbrojtura përfshijnë tashmë 36,1% të fondit pyjor dhe kullosor të Shqipërisë.
Në Shqipëri numërohen gjithashtu 724 monumente natyrore, ndërsa dy zona klasifikohen si Zona të Burimeve të Menaxhuara.





