Në zemër të luginës së Shushicës, Ura e Bratit (Bratajt) po zbulohet dita-ditës nga vizitorët që zgjedhin një ditë pushimi ndryshe, as në det e as në mal.

Nga rruga e re e Lumit të Vlorës, një aks panoramik që ofron pamje nga pothuajse të gjithë fshatrat që ndodhen përgjatë lumit, zbritja përposhtë kërkon vetëm dhjetë minuta në këmbë dhe ndodhesh në luginën e Shushicës, në zall me gurë të bardhë dhe rrjedhë uji të pastër e herë-herë edhe të vrullshëm.Lugina e Shushicës rrethohet në perëndim nga vargmali i Çikës dhe në lindje nga vargmali Kudhës-Gribë. Në pjesën më jugore, lugina ngushtohet dhe mbyllet nga Malësia e Lungarës dhe Mali i Çikës, duke krijuar një reliev të thyer dhe mjaft piktoresk ku buron edhe vetë lumi Shushicë. Burimet e lumit pranë fshatit Kuç dhe kanioni janë për t’u rrëfyer në një tjetër aventurë.