Shqipëria po fiton me shpejtësi reputacionin si një nga vendet më të përballueshme në Evropë
Shqipëria po fiton me shpejtësi reputacionin si një nga vendet më të përballueshme për t’u vizituar në Evropë, me qytete të gjalla dhe resorte bregdetare që kushtojnë shumë më pak se destinacionet e njohura, si Greqia.
Ky vend i Evropës Lindore ka gjithçka që do të dëshironit për një pushim mesdhetar; ujëra të kristalta, qytete të mbrojtura nga UNESCO dhe madje edhe verë të mirë për vetëm dy euro gota. Nuk mund të mos emocionohesh.
Vendi ka tërhequr së fundmi edhe vëmendjen e kastit të programit britanik TOWIE, pasi seria e fundit u xhirua në Dhërmi, një fshat pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë, në bregdetin jonian.
Falë rritjes së popullaritetit, udhëtimi drejt Shqipërisë është bërë gjithashtu më i lehtë se kurrë.
Gjatë verës, tashmë ka fluturime direkte të përditshme nga Londra, Birmingham, Mançesteri, Edinburgu dhe Liverpuli.
Nëse dëshironi ta kombinoni udhëtimin me një vend fqinj, mund të fluturoni direkt nga Britania e Madhe drejt Korfuzit dhe më pas të mbërrini në Shqipëri me traget, si një eksplorues i vërtetë i deteve.
Nga porti i Korfuzit në Greqi nisen çdo ditë tragete drejt Sarandës në Shqipëri. Operatorë si “Finikas Lines” dhe “Ionian Seaways” ofrojnë udhëtime të shpejta që zgjasin rreth 30 minuta dhe zakonisht kushtojnë vetëm 16 deri në 26 paund për të rritur.





