Studiuesit krijuan një matricë proteinike biomimetike – një material që imiton mënyrën natyrore se si formohet smalti gjatë zhvillimit të dhëmbëve.

Kur aplikohet mbi sipërfaqen e dhëmbit të dëmtuar, materiali vepron si një strukturë mbështetëse ku mund të rriten kristale të reja minerale, duke përdorur elementë të pranishëm në pështymë, si kalciumi dhe fosfati.

Në testet laboratorike, materiali ndihmoi në krijimin e shtresave të reja të ngjashme me smaltin, duke rikthyer disa nga karakteristikat kryesore të tij, përfshirë fortësinë, rezistencën ndaj konsumimit dhe strukturën mikroskopike.

Studiuesit testuan gjithashtu qëndrueshmërinë ndaj faktorëve, që imitojnë përdorimin e përditshëm të dhëmbëve, si larja me furçë, përtypja dhe ekspozimi ndaj substancave acide.

Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se kjo teknologji nuk është ende një trajtim i disponueshëm për pacientët.

Rezultatet janë arritur kryesisht në kushte laboratorike dhe nevojiten prova klinike te njerëzit, për të vërtetuar sigurinë dhe efektivitetin afatgjatë.

Sipas studiuesve, kjo qasje mund të ofrojë në të ardhmen një alternativë më rigjeneruese ndaj trajtimeve tradicionale, si mbushjet dentare apo materialet që vetëm mbrojnë smaltin ekzistues, veçanërisht për pacientët me konsumim të smaltit dhe ndjeshmëri të dhëmbëve.