Për Shqipërinë, media spanjolle thekson se vendi ofron disa nga brigjet më tërheqëse të Mesdheut, me çmime që mbeten ende befasuese për standardet evropiane.
Ndërsa shumë turistë zgjedhin Greqinë, Kroacinë apo Italinë, Shqipëria vazhdon të ofrojë një përvojë më të qetë, autentike dhe më ekonomike.
“Skyscanner” veçon Rivierën Shqiptare për plazhet me ujëra të kristalta, fshatrat piktoreskë bregdetarë dhe peizazhet ku malet zbresin drejt detit.
Ksamili, Himara dhe Dhërmiu përmenden si destinacione që ruajnë ende ndjesinë e zbulimit, ndërsa theksohet se edhe gjatë sezonit turistik, çmimet mbeten përgjithësisht më të ulëta se në vendet fqinje më të njohura.
Përtej bregdetit, artikulli ndalet edhe te pasuria kulturore e vendit, duke përmendur Beratin dhe Gjirokastrën, të dyja pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si edhe Alpet Shqiptare, të cilat konsiderohen ndër destinacionet më të mira për ecje malore në Evropë.
Sipas “Skyscanner”, me një buxhet ditor prej 40 deri në 70 euro, Shqipëria mbetet një nga alternativat më të favorshme për turistët, që kërkojnë të shijojnë Mesdheun, klimën e ngrohtë dhe autenticitetin, pa u përballur me kostot e larta të destinacioneve tradicionale.





