Një analizë e publikuar në revistën “Frontiers in Psychology”, nga studiues të Birkbeck, University of London, përfshiu të dhënat e 15 studimeve të imazherisë së trurit me 377 pjesëmarrës, mes astronautëve dhe vullnetarëve që morën pjesë në simulime të fluturimeve hapësinore.

Rezultatet tregojnë se mungesa e gravitetit shkakton ndryshime si në strukturën, ashtu edhe në aktivitetin e trurit. Studiuesit zbuluan se përshtatjet ndodhin kryesisht në zonat që kontrollojnë lëvizjen, ekuilibrin dhe orientimin e trupit në hapësirë, si edhe në rajonet që bashkojnë informacionin nga shqisat.

Autorja kryesore e studimit, Elisa Raffaella Ferre, shpjegon se truri përshtatet vazhdimisht me mjedisin ku ndodhet. Sipas saj, graviteti është një element themelor që sistemi nervor e përpunon vazhdimisht, edhe pse njeriu nuk e percepton në mënyrë të vetëdijshme.

“Kjo është një formë e bukur e neuroplasticitetit”, thotë Ferre, duke shtuar se truri “riprogramohet” për t’iu përshtatur mungesës së gravitetit.

Sipas saj, aftësia për t’u përshtatur është ajo që u mundëson astronautëve të kryejnë me sukses aktivitetet e përditshme në orbitë.

Ekspertët e mjekësisë hapësinore theksojnë se funksionimi normal i trurit është vendimtar për suksesin e çdo misioni.

Shkencëtarët synojnë tani të kuptojnë më mirë se sa shpejt ndodhin këto ndryshime neurologjike dhe sa kohë i duhet trurit për t’u rikthyer në gjendjen normale pas kthimit në Tokë.