Kalaja e Petrelës vijon të mbetet një nga destinacionet më të vizituara të turizmit kulturor në Shqipëri.
E vendosur mbi një kodër rreth 17 kilometra në juglindje të Tiranës, kjo kala ofron pamje mbresëlënëse të luginës së Erzenit dhe një eksperiencë unike për vizitorët vendas dhe të huaj.Kalaja e Petrelës ka kaluar nëpërmjet disa periudhash ndërtimi e rrënimi. Mendohet se është ndërtuar në periudhën e vonë antike, (shekujt III-IV e.s.) dhe është rindërtuar sërish gjatë sundimit të Perandorit Bizantin Justiniani I (527 – 565). Ajo mori një rëndësi të veçantë në shek. XI, në luftimet ndërmjet normanëve dhe bizantinëve.
Në fillim të shek. XIV i përkiste familjes feudale të Topiajve, që në atë kohë ishin zotërues të territorit midis lumenjve Mat e Shkumbin.
Në shekullin XV Petrela ishte kështjella e parë pas Krujës, e cila u rrethua dhe u çlirua nga Skënderbeu.
Kalaja e Petrelës ishte një nga qendrat që i bëri ballë pushtimit osman, deri në vitet e fundit të jetës së Gjergj Kastriot Skënderbeut.





