I lindur më 14 shtator 1947 në Omagh të Irlandës së Veriut, Sam Neill u shpërngul në moshë të vogël në Zelandën e Re, ku nisi edhe rrugëtimin e tij artistik.
Gjatë një karriere që zgjati më shumë se pesë dekada, ai interpretoi në dhjetëra filma dhe seriale televizive, duke u shquar për aftësinë për të luajtur role shumë të ndryshme.
Pika më kulmore e karrierës së tij ishte roli i paleontologut Dr. Alan Grant në filmin kult “Jurassic Park” të vitit 1993, me regji të Steven Spielberg.
Ai u rikthye në të njëjtin rol edhe në vazhdimet e sagës, duke u bërë një nga personazhet më të dashur për publikun.
Ndër rolet e tjera më të njohura të Neill janë në filmat “The Piano”, “The Hunt for Red October”, “Dead Calm”, “The Dish”, si edhe serialet “The Tudors”, “Peaky Blinders” dhe “Apples Never Fall”.
Për kontributin e tij në artin kinematografik, Sam Neill u nderua me një sërë çmimesh dhe vlerësimesh në Australi dhe Zelandën e Re.
Në vitin 2022 ai mori titullin “Kalorës Shoqërues i Urdhrit të Meritës së Zelandës së Re” për shërbimet e tij ndaj kinemasë dhe teatrit.





