I fshehur në Gadishullin e Karaburunit, përballë detit Jon, ky gji i vogël është kthyer në një nga perlat më të veçanta të Rivierës Shqiptare, i cili sot njihet ndërkombëtarisht, si një nga plazhet më të bukura të Evropës.

Deri pak vite më parë, Gjiri i Gramës ishte një destinacion i njohur vetëm nga aventurierët, alpinistët dhe detarët, që eksploronin brigjet e Karaburunit.

Sot, falë bukurisë së paprekur dhe përfshirjes së tij në renditjen “Evropa – 50 Plazhet më të Mira në Botë për vitin 2026”, Gjiri i Gramës po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve nga e gjithë bota.

Ajo që e bën këtë gji kaq të veçantë, është kombinimi i rrallë i natyrës së egër: ujëra të kristalta, shkëmbinj të bardhë gëlqerorë që bien pingul në det, shpella detare të fshehura dhe një qetësi absolute, larg çdo zhvillimi urban.