Projekti përfshin dy lagjet historike të Pogradecit, “Naim Frashëri” dhe “Lagjen e Burimeve”, kjo e fundit e konsideruar si bërthama e hershme e krijimit të qytetit, për shkak të pranisë së burimeve të ujit të pijshëm.

Objektivi është që zona të shndërrohet në një pol të rëndësishëm turistik, duke ruajtur njëkohësisht arkitekturën karakteristike të ndërtesave tradicionale dhe rrugicat me kalldrëm që përbëjnë identitetin historik të Pogradecit.

Deri tani janë realizuar rreth 80% e punimeve, ndërsa përfundimi i plotë i projektit pritet në tetor të vitit 2026.

Me përfundimin e investimit, pritet që qyteti të ofrojë më shumë mundësi për banorët, bizneset lokale dhe vizitorët, duke e kthyer qendrën historike në një destinacion të rëndësishëm kulturor dhe turistik.