Për vite me radhë, artistja ukrainase 36-vjeçare Olena Kharakhulakh e kishte lënë pas dore artin, duke zgjedhur një punë të qëndrueshme si dizajnuese objektesh prej qelqi për një kompani.

Gjithçka ndryshoi kur një raketë ruse goditi një pallat banimi vetëm 300 metra larg shtëpisë së saj në Ukrainën lindore, duke vrarë 45 persona.

Me lot në sy teksa kujtonte sulmin, ajo tha se pikërisht atëherë vendosi t’i përkushtohej artit me kohë të plotë.

“E kuptova se nuk do të ekzistonte kurrë një moment i përshtatshëm dhe se duhet të bësh atë që dëshiron tani”, tha Kharakhulakh, një nga shumë artistët ukrainas për të cilët pushtimi rus shënoi një pikë kthese.

“Për t’u rilindur, duhet të heqim dorë nga diçka, jo fjalë për fjalë, jo fizikisht, por duhet të shkatërrojmë ose madje të vrasim diçka brenda vetes”, tha ajo në galerinë e artit Lavra në Kiev.

Kolazhet e saj më të fundit, pjesë e edicionit të dytë të Panairit të Artit të Kievit, paraqesin statuja klasike me fytyra të prera, tehe të mprehta dhe re tymi kërcënuese. një pasqyrim i transformimit të saj personal.