Sipas antropologëve dhe studiuesve të gjumit, shumë familje moderne i rrisin fëmijët pa mbështetjen e komunitetit apo familjes së zgjeruar, ndërsa njëkohësisht duhet të balancojnë punën me kujdesin për fëmijët.

Kjo, sipas tyre, krijon një presion të vazhdueshëm fizik dhe emocional.

Studime të kryera në Gjermani tregojnë se gratë që bëhen nëna për herë të parë, humbin mesatarisht rreth një orë gjumë në natë gjatë tre muajve të parë pas lindjes së foshnjës, ndërsa baballarët rreth 20 minuta.

Edhe pas gjashtë vitesh, shumë nëna nuk rikthehen plotësisht në ritmin e gjumit që kishin para shtatzënisë.

Megjithatë, diferenca reale mes prindërve dhe personave pa fëmijë rezulton më e vogël nga sa besohet zakonisht.

Sipas të dhënave, prindërit me fëmijë nën 6 vjeç flenë mesatarisht rreth shtatë orë në natë, vetëm pak minuta më pak se personat pa fëmijë.

Ekspertët thonë se problemi kryesor mund të mos jetë sasia e gjumit, por mënyra si njerëzit modernë e perceptojnë atë.

Antropologu evolucionar David Samson, i cili studioi zakonet e gjumit tek fisi “Hadza” në Tanzani, tha se anëtarët e këtyre komuniteteve – përfshirë prindërit – raportojnë se janë të kënaqur me gjumin e tyre, edhe pse zgjohen shpesh gjatë natës.

“Nëse i pyet Hadzat nëse flenë mirë, ata thonë po”, shpjegoi Samson.

Sipas studiuesve, para Revolucionit Industrial njerëzit nuk kishin idenë moderne të “gjumit të pandërprerë” si standard ideal.

Në shumë kultura tradicionale, zgjimet gjatë natës konsiderohen normale dhe nuk shoqërohen me stres apo ndjenjë dështimi.

Një tjetër ndryshim i madh lidhet me mënyrën se si foshnjat flenë.

Në shumicën e shoqërive tradicionale dhe komuniteteve gjuetare, nënat flenë pranë foshnjave dhe i ushqejnë gjatë natës.

Kjo praktikë, e njohur si “të ushqyerit gjatë natës”, sipas disa studimeve mund t’i ndihmojë prindërit të ndihen më të çlodhur, pasi zgjimet gjatë natës janë më të shkurtra dhe më pak stresuese.

Ekspertët theksojnë gjithashtu se prindërit modernë shpesh nxiten të qëndrojnë plotësisht zgjuar gjatë ushqyerjes së foshnjës, të kontrollojnë vazhdimisht oraret e gjumit apo të përdorin telefonin gjatë natës – sjellje që e bëjnë më të vështirë rikthimin në gjumë.

Sipas studiueses australiane, Pamela Douglas, kjo gjendje alarmi e vazhdueshme ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e pushimit.

Nga ana tjetër, antropologët theksojnë se njerëzit e lashtë nuk kujdeseshin vetëm për fëmijët.

Kujdesi ndahej mes gjyshërve, motrave, vëllezërve dhe anëtarëve të tjerë të komunitetit.

Në shumë shoqëri tradicionale, foshnjat kalonin pjesën më të madhe të ditës në duart e njerëzve të tjerë dhe jo vetëm të nënës.

Sot, ky model është zhdukur në pjesën më të madhe të vendeve të industrializuara.

Shumë prindër përballen të vetëm me kujdesin për fëmijët, punën dhe presionin ekonomik, e cila sipas ekspertëve shpjegon pse lodhja moderne ndihet më e madhe.

Studiuesit besojnë se njerëzit janë biologjikisht të aftë të përballojnë periudha me më pak gjumë gjatë prindërimit, por kultura moderne dhe mungesa e mbështetjes sociale e bëjnë këtë shumë më të vështirë.

“Ne kemi evoluar për t’u përshtatur me periudha të vështira”, tha Samson.

“Prindërimi është një nga ato momente kur organizmi ynë pranon sakrificën e gjumit për një mision më të rëndësishëm, mbijetesën dhe kujdesin për fëmijën”, shtoi a