Sipas dokumenteve shoqëruese, ndërtimi i stacionit vlerësohet i domosdoshëm për përmirësimin e shërbimeve ndaj pasagjerëve dhe krijimin e një infrastrukture moderne e funksionale.

Projekti i cili është publikuar në faqen zyrtare të APP-së, parashikon rritjen e aksesueshmërisë së transportit publik, përmirësimin e organizimit të hapësirave të parkimit, aksesin në platformat e pasagjerëve, shtigjet për këmbësorë dhe trotuaret, si dhe sistemimin e zonave përreth për lëvizjen e taksive, autobusëve dhe zonave të lënies e marrjes së pasagjerëve.

Aktualisht, për realizimin e linjës hekurudhore janë në zbatim dy kontrata kryesore, një për punimet civile dhe sistemet e sinjalizim-telekomunikacionit dhe një tjetër për ndërtimin e stacioneve.

Sipas të dhënave zyrtare, punimet për infrastrukturën hekurudhore kanë avancuar, ndërsa ndërtimi i godinave të stacioneve pritet të përmbyllet në qershor.

Autoritetet synojnë përfundimin e punimeve të linjës brenda këtij viti, ndërsa elektrifikimi dhe nisja e operimit hekurudhor pritet të finalizohen në tremujorin e parë të vitit 2027.

Hekurudha Tiranë-Durrës dhe shtesa në Rinas kanë një gjatësi 39 kilometra. Trenat në këtë hekurudhë do të jenë elektrikë dhe do të përshkojnë distancën për 22 minuta. Në total do të jenë 11 stacione përgjatë gjithë linjës.