Nga pyjet dhe kullotat, te burimet ujore dhe traditat që bashkëjetojnë me natyrën, Parku Natyror “Zagori” përfaqëson një territor të pasur në biodiversitet dhe peizazhe unike.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Parku Natyror “Zagori” shtrihet mes vargmaleve të Nemërçkës, Lunxhërisë, Shëndëllisë, Buretos, Trebeshinës dhe Dhëmbelit, duke përfshirë një territor me peizazhe malore karakteristike dhe biodiversitet të pasur.

Kjo zonë mbetet një nga destinacionet më të vizituara në jug të vendit dhe një hapësirë e rëndësishme për zhvillimin e turizmit natyror e të qëndrueshëm, si dhe për ruajtjen e ekosistemeve të brishta malore.

Si zonë pilot e projektit të qeverisë dhe “EU4Nature”, mbështetja përqendrohet në forcimin e menaxhimit të parkut, përmes përgatitjes së Planit të Menaxhimit, rritjes së njohurive mbi vlerat natyrore dhe fuqizimit të kapaciteteve institucionale për një administrim më efektiv dhe të qëndrueshëm.

Ekspertët vlerësojnë se, Zagoria nuk është vetëm një zonë e mbrojtur por është një investim afatgjatë për natyrën dhe komunitetet lokale me potencial të lartë për turizëm ekologjik dhe aktivitete në natyrë.