Udhëzimi forcon në tërësi kompetencat e DPSHTRR-së, e cila verifikon nëse autoshkollat plotësojnë kriteret teknike dhe profesionale sipas licensës, duke i pajisur me vendim miratues. Autoshkollat që nuk i plotësojnë këto kritere nuk regjistrohen në sistemin e DPSHTRR-së.
Po ashtu DPSHTRR-ja, ushtron kontrolle të vazhdueshme në autoshkollat e licensuara. Kontrollet kryhen në drejtim të plotësimit të bazës së nevojshme mësimore, didaktike, personelit, mjeteve dhe kërkesave të tjera, që përcakton ky udhëzim.
Kontrollet ushtrohen në mënyrë periodike çdo vit, si dhe në të gjitha rastet kur ka dyshime të arsyeshme se autoshkolla nuk plotëson një apo më shumë kërkesa të këtij udhëzimi. Kur strukturat e DPSHTRR-së konstatojnë se gjatë zhvillimit të aktivitetit autoshkolla nuk plotëson një apo më shumë kërkesa të këtij udhëzimi merr masa në përputhje me parashikimet e Kodit Rrugor.
Udhëzimi përcakton saktë edhe kohëzgjatjen e kurseve për kualifikimin fillestar dhe atë periodik. Për kualifikimin për herë të parë për teorinë do të zhvillohen 60 orë në jo më pak se 15 ditë. Kurse për praktikën do të zhvillohen 10 orë, në jo më pak se 5 ditë.
Trajnimi për rinovim lidhur me teorinë do të zhvillohet në 35 orë në jo më pak se 7 ditë.
Një risi është shënimi i “Kodit 95” direkt në lejen e drejtimit ose në CAP. Ky kod vërteton se drejtuesi ka përmbushur kërkesat profesionale të Bashkimit Evropian për transportin e mallrave dhe pasagjerëve.
Ndryshe nga trajnimet e vjetra, programi i ri i kushton 8 orë shëndetit dhe emergjencave, duke përfshirë menaxhimin e stresit dhe faktorët psikologjikë; efektet e alkoolit dhe ushqyerjen e balancuar; parandalimin e kriminalitetit dhe trafikimit të paligjshëm gjatë transportit.
Rinovimi i CAP tashmë kushtëzohet plotësisht nga përfundimi i trajnimit periodik prej 35 orësh. Nëse zotëroni dy lloje CAP (për mallra dhe pasagjerë), rinovimi mund të kryhet njëkohësisht.





