Marrëveshja, e vlerësuar rreth 110 miliardë dollarë, kapërceu një pengesë të rëndësishme me votimin e sotëm, megjithëse ende pritet miratimi nga autoritetet rregullatore.
“Aksionarët e WBD votuan në mënyrë dërrmuese për të miratuar marrëveshjen e bashkimit me Paramount,” thuhet në një deklaratë të kompanisë bazuar në rezultate paraprake. Miratimi konsiderohej i sigurt.
Fillimisht,” Netflix” kishte planifikuar të blinte studiot dhe biznesin e transmetimit të Warner. Megjithatë, “Paramount” e tejkaloi ofertën e gjigantit të streaming-ut me një ofertë më të lartë për të gjithë kompaninë, përfshirë edhe transmetuesin amerikan CNN.
“Paramount,” që u ble vitin e kaluar nga familja e miliarderit të teknologjisë Larry Ellison, rriti ofertën e saj me para në dorë për të gjithë kompaninë në 31 dollarë për aksion, nga 30 dollarë më parë.
Bordi i “Warner” vendosi më pas se kjo ofertë ishte më e favorshme sesa oferta e pranuar më parë nga “Netflix”, i cili më pas refuzoi ta rriste ofertën e tij.
“Paramount” drejtohet nga producenti i filmave David Ellison, djali i aleatit të Trump, Larry Ellison.
“Warner” zotëron universin e superheronjve DC, me personazhe si “Superman” dhe “Batman”, si dhe franshiza filmike si Harry Potter, dhe një biznes të fortë transmetimi të bazuar në kanalin premium HBO.
Në dhjetor, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se CNN duhet të ndryshojë pronësi në çdo marrëveshje.
Kritikët e Trump kanë frikë se CNN, i cili ka raportuar shpesh në mënyrë kritike për administratën e tij, mund të humbasë pavarësinë editoriale nën ombrellën e “Paramount”.
Që nga marrja e kontrollit nga familja Ellison, redaksia e CBS në pronësi të “Paramount” ka adoptuar herë pas here një ton më pajtues ndaj administratës Trump krahasuar me periudhat e mëparshme





